Përfaqësues të OJQ-ve kritikojnë qasjen e BE-së për refugjatët

Gazetar: Adrian Kerimi

Të paktën 2.3 milion shtetas ukrainas kanë lëshuar vendin e tyre. Bilanci i referohet luftës dyjavore. Vendet e BE-së janë destinacioni i tyre i preferuar, shkruan Alsat.

Ngrohtësia që kanë treguar shtetet anëtare të perëndimit i ka dëshmuar botës një qasje me standarde të dyfishta. Përderisa refugjatët nga lindja e mesme prej vitesh kërkojnë rrugë alternative të rrezikshme për të arritur deri në Evropë duke u përballuar me brutalitet policor dhe krim të organizuar, ndaj refugjatëve ukrainas BE-ja po dëshmon një qasje ndryshe, thonë aktivistet e shoqatave humanitare. Jasmin Rexhepi nga Shoqata “Legis” thotë se vendet e BE-së qasje të tillë po tregojnë edhe me procedurat për azil kërkim.

“Për fat të keq duhet të them se kjo që shohim tani edhe njëherë konfirmon dyfytyrësinë e disa shteteve Evropiane. Flas për bllokun perëndimorë, pra vendet e BE-së të cilat deri para dy javës, para se të fillonte agresioni në Ukrainë i kishin rreshtuar forcat e tyre në kufirin me Bjellorusinë për të penguar valën e refugjatëve që ndodheshin atje dhe donin të kalonin në BE”, tha Jasmin Rexhepi, Shoqata “Legis”.

Sipas Rexhepit një qasje të tillë e ka dëshmuar edhe Maqedonia e Veriut.

“Për fat të keq para 2 ditësh në ditën e gruas në Llojan kemi një grua nga Kongo e cila ndërroi jetë në oborrin e xhamisë. Pse? Sepse ata njerëz nuk e kanë trajtimin e njëjtë për të arritur deri në territoret e BE-së dhe duhet patjetër të gjejnë rrugë të rrezikshme në të cilat humbin edhe jetët e tyre. Çfarë qasje është kjo? Çfarë do të thotë me këtë BE-ja përveç se të shpreh dyfytyrësi, racizëm dhe ksenofobi”, u shpreh Jasmin Rexhepi, Shoqata “Legis”.

Pjesa dërmuese e refugjatëve ukrainas janë sistemuar në Poloni, ndërsa rreth 200 mijë ka në Hungari. Në shtetet tjera të BE-së si Sllovaki, Rumani dhe Gjermani ka më pak refugjatë. Rreth 100 mijë ndodhen në Rusi dhe gati po aq në Moldavi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button