Këtë muaj, analizat për bllok tarifat

Këtë muaj, analizat për bllok tarifat

Gazetar: Ile Petrevski

Komisioni Rregullator i Energjetikës së bashku me një grup ekspertësh ka nisur procedurën për hartimin e bllok tarifave për energjinë elektrike edhe në ekonomi. Rregullatori siguron se kompanitë do të kenë përfitime, por edhe ato duhet të kursejnë dhe të përdorin në mënyrë racionale energjinë elektrike në aktivitetet e tyre afariste. Parimi do të jetë i njëjtë si për familjet.

“Në nëntor do të nisin analizat e reformës së re bllok-tarifore për konsumatorët e vegjël në tregun e rregulluar. Parimi do të jetë i njëjtë si për amvisëritë- kush shpenzon më pak, paguan më pak”, thonë nga Komisioni Rregullator i Energjetikës.

Nga Ministria e Ekonomisë, institucion nën të cilin është sektori i energjetikës, shkurtimisht na njoftuan se nuk kanë detaje se sa bllok – tarifa do të parashikohen për këto kompani.

Nga 1 dhjetori, kompanitë e industrisë ushqimore do të marrin energji elektrike me çmim prej 80 euro për megavat/ orë. Për pjesën tjetër të kompanive, aktualisht nuk ka asnjë ndihmë nga Qeveria, megjithëse autoritetet theksojnë se pushteti qendror subvencionon çmimin e energjisë elektrike për subjektet afariste që janë në tregun e rregulluar. Nga ana tjetër, kompanitë që blejnë energji në tregun e lirë, çdo ditë paralajmërojnë se po e ruajnë likuiditetin me të gjitha forcat.

Që nga korriku i këtij viti janë vendosur ndryshime në sistemin tarifor për konsumin e energjisë elektrike nga amvisëritë. Në faturë tregohen veçmas llogaritjet për energjinë elektrike të konsumuar dhe tarifën për përdorimin e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes. Te familjet, e gjithë sasia e energjisë elektrike e konsumuar me tarifa të larta ndahet në blloqe dhe çdo bllok ka çmim të ndryshëm./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button