Këto ushqime të përpunuara po “shkatërrojnë” trurin dhe rrisin rrezikun e demencës
Një studim i shkencëtarëve nga Universiteti i Teknologjisë në Virxhinia tregoi se nga të gjitha ushqimet ultra të përpunuara, mishi i përpunuar dhe pijet me sheqer shkaktojnë dëmin më të madh në tru, shkruan “Science Alert”.
Studimi përfshinte 4,750 persona mbi moshën 55 vjeç nga Shtetet e Bashkuara, shëndeti i të cilëve u monitorua gjatë një periudhe shtatëvjeçare, nga viti 2014 deri në vitin 2020.
Shkencëtarët testuan rregullisht aftësitë e tyre njohëse, duke përfshirë kujtesën, përqendrimin dhe aftësinë për të zgjidhur probleme. Gjatë studimit, 1,363 pjesëmarrës zhvilluan dëmtime njohëse. Rezultatet treguan se njerëzit që hanin më shumë mish të përpunuar çdo ditë kishin një rrezik 17 për qind më të lartë për probleme me funksionin e trurit.
Menjëherë pas tyre ishin pijet e ëmbla, të tilla si pijet e gazuara, çajrat e ftohtë dhe pijet frutore me shumë sheqer, të cilat e rrisnin rrezikun me gjashtë përqind.
Është interesante se studimi nuk gjeti një lidhje të fortë midis dëmtimit njohës dhe llojeve të tjera të ushqimeve ultra të përpunuara, siç janë ëmbëlsirat, ushqimet e kripura, produktet e qumështit ose vaktet e gatshme.
Shkencëtarët thonë se kombinimi më i rrezikshëm për trurin mund të jetë mishi i përpunuar i kombinuar me pijet me sheqer.
“Ka gjëra që mund të ndryshojmë. Gjërat më të rëndësishme janë moderimi dhe zgjedhjet e ekuilibruara të ushqimit”, tha profesoresha Brenda Davey, bashkautore e studimit.
Studiuesit na kujtojnë se sot, pjesa më e madhe e ushqimit që njerëzit konsumojnë është ultra i përpunuar, domethënë i përpunuar industrialisht dhe plot me aditivë, ngjyra, përmirësues shijeje dhe emulsifikues.
Sipas tyre, një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur trurin është të zvogëlohen këto ushqime dhe të përgatiten më shpesh vakte të gatuara në shtëpi.








