Vazhdon situata alarmante me virusin e Etheve të Nilit Perëndimor, shënohet viktima e katërt
Gazetar: Suad Bajrami
Është shënuar viktima e katërt nga virusi i Etheve të Nilit Perëndimor i cili kryesisht bartet nëpërmjet pickimit nga mushkonjat. Drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Shkup, Fadil Cana tha se pacienti ka ndërruar jetë gjatë pasdites së djeshme pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
“Bisedohet për pacient 76-vjeçar i cili kishte formë akute të ndezjes së trurit dhe cipave të trurit dhe te ky pacient ishte i përdëftuar në mënyrë laboratorike forma neuroinfazive e Etheve të Nilit Perëndimor. Përndryshe pacienti gjendej për trajtim në Klinikën për Sëmundje Infektive plotë 27 ditë, por për shkak të përkeqësimit të situatës së gjendjes shëndetësore në orët e pasdites, te pacienti u konstatua vdekja e tij”, tha Fadil Cana, Drejtor i Klinikës së Sëmundjeve Infektive – Shkup.
Aktualisht numri i të hospitalizuarve në Klinikën Infektive nga Ethet e Nilit Perëndimor është 20, ndërsa 5 prej tyre ndodhen në kujdes intensiv.
“Në Klinikën për Sëmundje Infektive aktualisht janë të hospitalizuar 20 pacientë me Ethet e Nilit Perëndimor, nga të cilët 18 pacientë janë në mënyrë laboratorike të përdëftuar që kanë formë invazive të Etheve të Nilit Perëndimor. Nga këta pacientë 2 llogariten si raste të dyshimta dhe raste të mundshme të cilat klinikisht përputhen me të gjitha karakteristikat se edhe te këta përputhen për infeksion të Etheve të Nilit Perëndimor dhe te këta është në procedurë diagnostifikimi me anë të metodave laboratorike”, theksoi Fadil Cana, Drejtor i Klinikës së Sëmundjeve Infektive.
Të gjithë pacientët e hospitalizuar kanë formë të neuroinvazive, ndërsa sipas drejtorit Cana kjo formë paraqitet te rreth 1% e të infektuarve me Ethet e Nilit Perëndimor. Sipas autoriteteve virusi është autokton dhe nuk është i bartur prej shteteve të tjera. Apelohet që qytetarët të kenë kujdes të shtuar për mbrojtje nga pickimi i mushkonjave, sidomos gjatë periudhës së mbrëmjes. Gjithashtu, apelohet që të mos frekuentohen në zonat ku ka ujë, kanale të hapura apo moçale, ndërsa nëse shohin shpezë të ngordhura, sidomos sorra, të paraqesin rastin në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari. Ndërkohë komunat obligohen që të intensifikojnë spërkatjen kundër mushkonjave si masë parandaluese kundër përhapjes së virusit. Komunat më të prekura janë Kisella Voda, Gazi Baba, Aerodromi, Buteli, por edhe Ilindeni. Ndërkohë raste janë paraqitur edhe në Studeniçan, Haraçinë, por edhe në vendbanimet Draçevë, Përzhinë, Lisiçe e Poshtme, Kadino dhe Jurumleri./Alsat.mk.








