Haxhiu: Pa marrëveshje për presidentin, rrezikojmë zgjedhje të reja
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga partitë politike të nisin të flasin me emra konkret për kandidatin konsensual për president. Pas takimit me liderë të partive politike që iu përgjigjën pozitivisht ftesës, Haxhiu ka shprehur keqardhje që PDK, LDK dhe Aleanca, refuzuan takimin. Ajo tha se në takim, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, tha se shumë shpejt do të zhvillojë një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ajo i ftoi edhe dy partitë e tjera të ish-opozitës që përfaqësohen në Kuvend t’i bashkohen këtij takimi dhe të gjejnë një emër unifikues për presidentin. Ajo tha se Kurti i ka njoftuar edhe partitë e komuniteteve joserbe që janë votat për konstituim të Kuvendit dhe formim të qeverisë. Mirëpo, sipas saj, pa marrëveshje politike për presidentin, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të reja.
“Le të fillojmë të flasim me emra të përveçëm për një kandidat konsensual. Për një kandidat që nuk është në ndonjërën prej partive politike. Kryetari i LVV-së e përmendi që nuk duan që presidenti të jetë nga radhët e LVV-së. Ka pasur diskutime në opinion se LVV-ja po insiston që presidenti të jetë nga ana e tyre. LVV-ja, që përfaqësohet në Kuvend me 53 deputetë, thekson se janë për një president konsensual. Uroj që takimet me partitë të vazhdojnë. Ato do të ndodhin shumë shpejt dhe, sipas njoftimit që kryetari i LVV-së na tha, se me LDK-në do të ketë një takim shumë shpejt. Iu përket atyre se kur do të ndodhë ky takim, por uroj që këtyre takimeve t’iu bashkohen edhe partitë e tjera politike dhe jo të refuzojnë. Refuzimi i takimeve nuk çon te një marrëveshje, duke pasur parasysh se për presidentin duhet t’i kemi dy të tretat për të vazhduar me procedurat.” – Albulena Haxhiu, Ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës. /Alsat.mk








