Kuvendi në krizë, PDK e AAK kërkojnë vazhdimin e seancës

Disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës sot kanë shkuar në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që seanca konstituive të vazhdojë. Atyre iu bashkuan edhe dy deputetë të Aleancës. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, tha se situata me Kuvend të pa konstituar duhet të na alarmojë të gjithëve. Ajo tha se asnjë lider nuk është mbi shtetin dhe mbi Kosovën e Kushtetutën, duke e cilësuar këtë situatë si krizë shtetërore. Ndërkohë shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosovës, Besnik Tahiri, ka adresuar akuza ndaj kryeministrit Kurti se qëllimisht po zvarrit formimin e institucioneve të reja. Në sallën plenare të Kuvendit, Tahiri kërkoi vazhdimin e seancës konstituive. Ai tha se janë të gatshëm të kontribuojnë për zgjedhjen e presidentit, por Kurti duhet t’i pranojë gjashtë pikat e Aleancës, ku përfshihet edhe gazi amerikan.

“Edhe sot nuk është thirrur seanca për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, edhe sot Kosova vazhdon pa institucione të konstituara dhe kjo duhet të na alarmojë të gjithëve. Ne jemi zgjedhur për të punuar, por si deputetë në vend që të jemi në seancë duke u marrë me problemet e juaja qytetarë, jemi duke kërkuar që shteti të funksionojë së pari”. – Besa Kabashi-Rama, PDK.

“Si Aleancë jemi pro konstituimit të Kuvendit dhe pro zgjedhjes së presidentit. Ne do t’i ofrojmë shtatë votat tona në këmbim, jo të pjesëmarrjes në qeveri, por të miratimit të gjashtë pikave. Këto gjashtë pika kurrë nuk janë diskutuar. Letrat që janë dërguar në parti kanë qenë tentim për të na futur në diskursin e tij politik për benefite të tij, por që nuk kemi pranuar. Ne e kemi një kërkesë të thjeshtë: vepro dhe deklarohu për gjashtë pikat tona. Zotëri Kurti, përveç votave të tij dhe partnerëve, i ka edhe votat e Aleancës, por nuk do të dëshironte me zgjedh presidentin. Kurti po mendon se na lodhemi, por nuk e kemi plan me u lodh, pasi kemi besim.” – Besnik Tahiri, AAK. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button