Kiev, gjyqi i parë për krime luftë nga Rusia

Kiev, gjyqi i parë për krime luftë nga Rusia

Gazetare: Evi Shkopi

Gjyqi i parë për krimet e luftës që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska, kundër një ushtari rus të akuzuar për vrasjen e një civili të paarmatosur, fillon sot në Kiev. Përpara gjykatës sot doli ushtari 21-vjeçar rus Vadim Shishimarin, nga Irkutsku i Siberisë, i cili akuzohet se ka qëlluar për vdekje një civil të paarmatosur dhe rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.

“Një nga ushtarët ka urdhëruar të akuzuarin të vriste civilin që të mos i denonconte. Shishimarin më pas qëlloi një pushkë kallashnikov nga dritarja e automjetit dhe burri vdiq menjëherë, disa dhjetëra metra larg shtëpisë së tij”, njoftojnë nga Prokuroria e Ukrainës.

Kryeprokurorja e Ukrainës kishte deklaruar se janë rreth 11 mijë raste të krimeve të luftës dhe rreth 40 të dyshuar.

“Megjithatë, me këtë gjyq të parë, ne po dërgojmë një sinjal të qartë se çdo autor, çdo person që urdhëroi ose ndihmoi në kryerjen e krimeve në Ukrainë nuk do të shmangë përgjegjësinë. Ne do t’i identifikojmë të gjithë. Nëse përpiqen t’i shmangen drejtësisë, do të detyrohen të qëndrojnë në Rusi. Sepse në momentin që do të kalojnë kufijtë do të arrestohen dhe do të dalin para drejtësisë”, deklaroi Iryna Venediktova- kryeprokurore.

Ndërkohë që organet ligjvënëse në Ukrainë hedhin hapat e nevojshëm për vënien në vend të drejtësisë, ushtria vazhdon me procesin e evakuimit të pjesëtarëve të tyre të cilët luftonin nga fabrika e çeliku Azovstal në Mariupol.

“Në Mariupol, luftëtarët nacionalistë të Azov dhe ushtarakët ukrainas të bllokuar në fabrikën Azovstal vazhduan të dorëzoheshin. 694 luftëtarë, mes të cilëve 29 të plagosur, janë dorëzuar ditën e kaluar. Gjithsej 959 luftëtarë janë dorëzuar që nga 16 maji, duke përfshirë 80 të plagosur, 51 prej të cilëve në nevojë për shtrimin në spital u vendosën në spitalin Novoazovsk në Republikën Popullore të Donetsk”, u shpreh Igor Konashenkov- zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse.

Presidenti Volodimir Zelenski tha se procesi i evakuimit po mbikëqyret nga ndërmjetës ndërkombëtarë.

“Dita e 83-të e mbrojtjes sonë ka nisur me një kombinim mjaft serioz të goditjeve ruse në Ukrainë. Sulmet me raketa goditën rajonet Lviv, Sumy, Chernihiv. Rajoni i Luhanskut u godit nga një sulm ajror. Aktivitete specifike sabotuese raportohen në rajonet kufitare të Ukrainës”, theksoi Volodymir Zelenski- president i Ukrainës.
Presidenti Zelenski përmes një video telefonate iu drejtua pjesëmarrësve në edicionin e 75-të të Kanës cili nisi me një vështrim të kthyer nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Zelenski i bëri thirrje një brezit të ri kinematografisë të përballen me diktatorët ashtu siç Charlie Chaplin satirizonte Adolf Hitlerin./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button