Kina uron presidentin e zgjedhur Joe Biden

Kina përgëzoi të premten presidentin e zgjedhur Joe Biden dhe zëvendësen e tij Kamala Harris për fitoren në zgjedhje.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin i përcolli përgëzimet në konferencën e rregullt për shtyp.

“I përcjellim urime zotit Biden dhe zonjës Harris,” tha zëdhënësi. “E kemi ndjekur reagimin ndaj zgjedhjeve presidenciale si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në botë,” tha ai, pa dhënë shpjegime për vonesën në reagimin e Pekinit.

“Respektojmë zgjedhjen e popullit amerikan. Ndërkaq, e kuptojmë se rezultatet e zgjedhjeve do të zyrtarizohen në bazë të ligjeve dhe procedurave amerikane,” tha zëdhënësi.

Megjithë paditë ligjore të ekipit të Trump, Joe Biden pritet të bëhet më 20 janar president i Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë vazhdon numërimi i votave dhe rezultati nuk do të marrë formë zyrtare deri në certifikimin e dhënë nga shtetet individuale deri më 8 dhjetor.

Kina dhe Rusia reaguan më me vonesë se vendet e tjera që përnjëherë i përcollën urime Biden pasi u deklarua të shtunën e kaluar si fituesi i pritshëm i zgjedhjeve.

Sipas analistëve, nën administratën Biden nuk priten shumë ndryshime në marrëdhëniet SHBA-Kinë, të cilat janë tensionuar gjatë viteve të fundit si rezultat i kritikave të Presidentit Trump ndaj politikave të Kinës ndaj tregtisë dhe të drejtave të njeriut dhe akuzave për rolin në përhapjen e pandemisë si dhe për përvetësim të pronës intelektuale dhe aktivitet spiunazhit./VOA/

LEXO EDHE:

Back to top button