Kjaer sjell barazimin për Milanin, Ajaksi afër çerekfinales

Ishte cilësuar si një finale e parakohshme për vetë emrat e dy skuadrave, por sfida mes Man. Junajted dhe Milanit nuk rezultoi e tillë në 90-minutëshin e parë të zhvilluar në “Old Trafford”, që u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1. Pjesa e parë u zhvillua nën një dominim të lehtë të vendasve, që kontrolluan topin në 60% të kohës, megjithatë rastet më të mira i krijoi Milani, që dërgoi edhe topin në rrjetë, por goli u anulua nga VAR për një marrje me dorë nga ana e Franck Kesie. Pas pushimit, Solskjaer la në dhomat e zhveshjes Entoni Marsial dhe hodhi në fushë 18-vjeçarin Diallo, që i shpëtoi mbulimit të Tomorit dhe mposhti Donnarummën me një parabolë të saktë me kokë. Milani provoi të rikthejë baraspeshën dhe krijoi disa aksione të rrezikshme, por pa arritur të kërcënojë kuadratin e portës së “djajve të kuq”. Megjithatë kur dukej se gjithçka po shkonte drejt fitores së Mançesterit, ishte mbrojtësi danez Simon Kjaer që shënoi golin e barazimit.
Prek çerekfinalet skuadra e Ajaksii, që mposhti zviceranët e Jang Bojsit me shifrat 3-0 që në ndeshjen e parë. Klasen, Tadiç dhe Brobej shënuan për skuadrën nga Amsterdami në pjesën e dytë dhe tani ndeshja e kthimit pritet të jetë një formalitet për “harkëtarët”.
Rezultat mjaft pozitiv mori edhe Viljareali, që triumfoi me shifrat 0-2 në transfertën ukrainase ndaj Dinamo Kievit. Torres në pjesën e parë dhe Raul Albio në minutën e 52-të shënuan për “nëndetësen” e verdhë spanjolle, që gjithashtu ka prekur çerekfinalet.
Sfida tjetër e zhvilluar ishte ajo mes Slavia Pragës dhe Renxhersit, që gjithashtu u mbyll në barazimin 1-1. Vendasit shënuan me Stanciu, ndërsa skocezët barazuan me Helander, duke shtyrë çështjen e kualifikimit për në javën e ardhshme.