Klasikja e Kupës në Spanjë, pa 3 yjet e skuadrës katalanase

Ansu Fati mori një goditje në gju në “Old Trafford”, në duelin e Ligës Evropa, dhe për këtë shkak humbi ndeshjen e kampionatit kundër Almería-s. Deri dje nuk mundi të ushtrohej me grupin për t’u përgatitur për ndeshjen kundër Real Madridit, në kuadrin e gjysmëfinaleve të Kupës së Mbretit në “Bernabeu”.

Sidoqoftë, ‘10’ e Barçës do të jetë në planet e Çavit për betejën e Madridit. Ansu Fati do të jetë në stol për të vepruar në rast se duhet të ndryshojë skenarin e lojës në çdo moment. Rolin e Levandovskit në qendër të sulmit do ta luajë Ferran Torres, i cili tashmë e di se çfarë është të shënosh në “Bernabéu”. Në ndeshjet e fundit, skuadra e Barçës e ka pasur të vështirë të gjenerojë raste të qarta shënimi.

Pas dy humbjeve radhazi, skuadra e Çavit duhet të reagojë menjëherë dhe nuk ka skenar më të mirë se në një “El Clasico” për ta bërë këtë. Me lëndimet e Levandovskit, Pedrit dhe Dembele-s, trajneri i Barçës do ta orientojë formacionin me katër mesfushorë, me Gavi të zhvendosur në të majtë dhe Busketsin e De Jong si të padiskutueshëm. Vendi i fundit në qendër të fushës është mes Serhi Roberto dhe Kessie, i rëndësishëm në përplasjet e fundit.

Çavi do të ketë edhe një herë mbrojtjen e tij tip në përpjekje për ta mbajtur portën e pastër në “Bernabeu”. Pavarësisht se Andreas Kristensen u stërvit vetëm për 15 minuta për shkak të një shqetësimi të vogël në kyçin e këmbës, ai nuk pritet të humbasë takimin ndaj rivalit të përjetshëm. Danezi është kyç për shkak të aftësisë së tij të mirë për të larguar topin dhe forcës në ajër. Nëse Xavi më në fund vendos ta rezervojë, Eric mund të luajë në vendin e tij ose t’i besojë përsëri Marcos Alonso.

Si gjithmonë, Arauho do të jetë qendërmbrojtësi që kalon në krah për të ndaluar Vinicius dhe Koundé do të veprojë aty ku i pëlqen më shumë, në boshtin mbrojtës.

Hera e fundit që Barcelona u përball me Real Madridin në Kupën e Mbretit ishte në gjysmëfinale të vitit 2019. Katalanasit mbizotëruan në atë raund.

Nga ai ekip ka vetëm pesë të mbijetuar te Barça aktuale, por vetëm katër mund të kenë mundësi të luajnë sot. Ata janë Ter Stegen, Buskets, Serhi Roberto dhe Zhordi Alba. Dembele ishte gjithashtu në atë ekip, por ende nuk është rikuperuar 100% nga lëndimi i tij dhe është jashtë për ndeshjen e sotme.

 

LEXO EDHE:

Back to top button