Klekovski: Shumica e ujësjellësve dhe puseve në vend janë në gjendje jo të mirë
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Pas akuzave të kreut të opozitares LSDM Venko Filipçe, se në Spitalin për Sëmundje të Mushkërive në Leshkë është përdorur ujë jo i rregullt gjatë muajit maj, ministri i Shëndetësisë gjatë ditës së sotme vizitoi Spitalin në të cilin tha se nuk duhen informatorë për të njoftuar se uji në Leshkë është i papërdorshëm, pasi në të gjitha çezmat ka njoftim.
“Nuk duhen informatorë të tregojnë se uji nuk është i rregullt për pije në Leshkë. Jo në spitalin, por në vendbanimin Leshkë, pasi mund të shihni në të gjitha çezmat ka njoftim se uji është teknik dhe nuk është për pije. Gjendja në Leshkë nuk është e fshehtë pasi ajo zgjatë të mos them me dekada, por së paku dekadën e fundit në muajt e verës dhe Ministria e Shëndetësisë dhe ministri i Shëndetësisë mes vitit 2017 dhe 2022 ka mundur ta shohë atë nga gjetjet e rregullta që kanë arritur në Ministrinë e Shëndetësisë se edhe atëherë uji ka qenë i parregullt edhe popullata atë e ka ditur dhe i respekton udhëzimet që i marrin për veprim”, deklaroi Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë,.
Klekovski tha se në pjesën më të madhe të fshatrave të Maqedonisë, uji gjatë verës mund të përdoret vetëm për nevoja teknike, por jo edhe për pije.
“Nuk është fshehtësi se në pjesën më të madhe të Maqedonisë rurale, shumica e puseve dhe ujësjellësve janë të parregullt për arsye bakterologjike, veçanërisht gjatë periudhës së verës për shkak të niveleve të ulëta të ujit dhe rritjes së nevojës për shkak të kthimit të diasporës në muajt e verës”, theksoi Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.
Ditë më parë kreu i LSDM-së, Venko Filipçe në një konferencë shtypi publikoi disa dokumente të cilat sipas tij dëshmonin se uji në spitalin e mushkërive në Leshkë të Tetovës ka rezultuar i dëmshëm. Sipas Filipçes, analizat kishin treguar se parametrat e baktereve koliforme janë në nivele mbi të lejuarën. Ai akuzonte institucionet për mosndërmarrjen e masave./Alsat.mk.








