Klop: Ishim përball një ndër skuadrave më të mira në botë

Skuadra e Liverpullit u detyrua t’i japë lamtumirën “Carabao Cup”, në fazën e 1/8-tave teksa “The Reds” u mposhtën në sfidën ndaj Mançester Sitin me rezultatin 3-2. Pas ndeshjes, trajneri i Liverpullit, Jurgen Klop theksoi se të tijtë e nisën keq takimin dhe kjo ndikoi në besimin e lojtarëve në fushë ndërsa nuk harroi t’i japë meritat edhe kundërshtarit për të cilët tha se janë një super skuadër.

“15 minutat e para ishin shumë të vështira, luajtëm me një formacion të cilin nuk e kishim të praktikuar. Shihej qartë që kishte ende nevojë për përshtatje, më pas kur ishim më kompaktë patëm momente të mira. Siti është një super skuadër dhe në fushë nuk të falin asgjë. Por, e theksoj se fillimi ishte i vështirë, për shkak të 15 minutat e para humbëm edhe besimin në fushë. Më pas pësuam menjëherë në pjesën e dytë, por ajo që dua të them është se pësuam gola të kotë. Në golin e tretë ne thjesht po shihnim topin derisa të mbërrinte te Ake që shënoi më pas, aty nuk ishte askush për të mbuluar edhe pse dy lojtarë të Siti-t ishin të vetëm. Por, tashmë është një rezultat që duhet ta pranojmë”, u shpreh Klop.

Në raundin tjetër, atë të çerekfinales, skuadra e Mançester Sitit do të takohet me Çarltonin.

LEXO EDHE:

Back to top button