Kodi Zgjedhor, vetëm me ndryshime simbolike

Përfaqësuesit politik ngrenë supet kur pyeten se çfarë do të ndodhë me negociatat për Kodin zgjedhor. Zgjedhjet lokale janë pas katër muajsh. Prej kohësh është shkelur rekomandimi për ndryshime në Kodin zgjedhor të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve. Pushteti thotë se qëndron pas propozimeve të veta por nuk mban përgjegjësi për qëndrimet e partive të tjera.

Qëndrimi jonë është se duam të bëjmë hapa të ri për demokracinë, të paktën për zgjedhjet lokale dhe të ketë lista të hapura për këshilltarë ku qytetarët përskaj ofertës për të votuar për partitë dhe koalicionet, të mund të zgjedhin edhe për cilin këshilltar do të votojnë. Kjo e bën raportin mes qytetarit dhe këshilltarit të drejtpërdrejtë kurse varësinë e këshilltarit ndaj partisë së tij më të ulët. Për fat të keq, akoma nuk ka marrëveshje. Ne do të bëjmë gjithçka që varet nga ne por nuk mund të garantojmë për partitë opozitare, as për VMRO-DPMNE – u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.

Negociatat mes grupeve parlamentare për Kodin zgjedhor u intensifikuan së fundmi por marrëveshje deri tani ka vetëm për rekomandimet e OSBE/ODIHR-së. Këtu përfshihen ndryshime në mënyrën e funksionimit të KSHZ-së, financimit të fushatës dhe reklamimit politik por nuk ka marrëveshje për çështjet politike.
LSDM-ja qëndron pas propozimit për lista të hapura për këshilltarë dhe sipas tyre, këtë propozim e mbështet edhe BDI-ja. Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja synon zgjedhjen e kryetarëve të komunave vetëm me një rreth zgjedhor, propozim i cili nuk është i pranueshëm për disa prej partive në negociata. Asnjëra prej tyre nuk jep zyrtarisht informata për zhvillimin e negociatave.

Kjo ka qenë faza e parë e negociatave e cila është paralajmëruar të mbyllet këtë javë, me ose pa marrëveshje për të gjitha këto çështje.

Por, nuk ka filluar akoma faza e dytë e negociatave, atë për zgjedhjet parlamentare, për të cilat nuk tregohet aspak urgjencë. Në fazën e dytë do të negociohet për një Kod zgjedhor tërësisht të ri, për ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore, për lista të hapura në zgjedhjet parlamentare, etj.

Shumë prej këtyre propozimeve janë vënë disa herë në tavolinë por partitë në fund janë kënaqur me disa ndryshime simbolike.

Në zgjedhjet lokale të tetorit, ligji për herë të parë parashikon votimin biometrik ose identifikimin e votuesve nëpërmjet gjurmëve të gishtave.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button