Kodi zgjedhor, VMRO kushtëzon pjesëmarrjen

Gazetar: Mefail Ismaili

Brenda javës pritet të formohet grupi i punës për përpilimin e Kodit të ri Zgjedhor. Ministria e Drejtësisë emrat e anëtarëve të grupit do t’i bëjë publike deri në fund të javës. Mësohet se grupi nuk do të jetë i plotë me të gjitha partitë parlamentare.

“Deri më tani, të gjitha partitë e ftuara, organizata joqeveritare dhe shoqata kanë nominuar përfaqësues të tyre në këtë trup pune, me përjashtim të VMRO-DPMNE-së. Me grupin e punës do të udhëheq ekspert por nuk është përjashtuar mundësia që në përgatitjen e Ligjit të inkuadrohet edhe ekspert prej jashtë”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga VMRO-DPMNE thonë se anëtar të tyre në Grupin e Punës për Kodin e ri Zgjedhor do të dorëzojnë në momentin kur të arrihet marrëveshje që vendi të ketë një njësi zgjedhore, gjë të cilën partitë më të mëdha në pushtet ua premtojnë vazhdimisht partive të vogla.

Që në atë moment kur do të thonë se pajtohen për një njësi zgjedhore dhe se mund të jetë modeli një njësi zgjedhore dhe se i tillë do të jetë modeli, përkundër kësaj dyfytyrësie të cilës ua servojnë partive më të vogla, që në atë moment kur do të thonë se do të jetë modeli me një njësi zgjedhore, ne atëherë do të dorëzojmë përfaqësues tek ekipi për negociata tek Ministria e Drejtësisë, te Tupançevski, u shpreh Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

Negociatat për një kod të ri zgjedhor u paralajmëruan që në fillim të muajit maj. Grupi i punës duhet të përbëhet nga anëtar të institucioneve, të partive politike, ekspert dhe përfaqësues të OJQ-ve. Kodi aktual zgjedhor ka pësuar mbi 30 ndryshime që nga përpilimi fillestar i tij. Institucionet që merren me zbatimin e zgjedhjeve thonë se ai është bërë jokoherent dhe i vështirë për t’u zbatuar. OSBE-ODIHR-ja prej kohësh këmbëngul për një ligj të ri për zgjedhjet i cili do të përmbante në vete edhe rekomandimet e kësaj organizate ndërkombëtare që monitoron zgjedhjet.  Listat e hapura, votimi i diasporës, financimi i fushatës zgjedhore dhe monitorimi i mediave janë disa nga çështjet më të përfolura të procesit zgjedhor në vend, për të cilat kërkohet zgjidhje. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button