Dimitrov: Propozimi nuk na dërgon në BE

Gazetar: Luka Andreev

Ish-ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, beson se me propozimin francez, çështjet dypalëshe hyjnë në kornizën negociuese. Sipas tij, populli meriton një kornizë negociuese evropiane , ku beteja është për reforma. Për të është e diskutueshme të flitet edhe për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë që në fillim të negociatave, dhe këtë Qeveria nuk mund ta premtojë pa siguruar një shumicë prej dy të tretash për ndryshimet kushtetuese.

“Propozimi nuk na çon drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Duam ti fillojmë negociatat, apo duam t’i përfundojmë negociatat dhe të hyjmë si anëtare? Propozimi na çon në një rrugicë të ngushtë, e cila është jashtëzakonisht e ndërlikuar nga kërkesat e Bullgarisë, u shpreh Nikolla Dimitrov – ish-ministër i Punëve të Jashtme.

Dimitrov ishte pjesë e folësve në forumin e organizuar nga Instituti për Demokraci dhe atij për politika evropiane.  Sipas Marko Troshanovskit nga Instituti për Demokraci, propozimi francez i Bashkimit Evropian nuk është reciprok, dhe ai përdor terma që mund të interpretohen lirisht. Si shembull, ai vuri në dukje pritjet për “rezultate të prekshme” nga Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë, nga e cila doli Komisioni i Përbashkët i Historisë.

“Nëse themi hipotetikisht se deri në shtator 2023 duhet të pajtohemi se çfarë është Goce Dellçev, dhe se duhet të jetë kusht për përparim në negociata, kjo është absolutisht e papranueshme, deklaroi Marko Troshanovski – Kryetar i Institutit për Demokraci.

Ata i kërkuan qeverisë ta publikojë Protokollin për Zbatimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë, të cilin Shkupi dhe Sofja ende nuk e kanë nënshkruar. Me të, siç thonë ata, do të zbardhen dilemat në opinion dhe kanë apeluar që Qeveria të jetë e zëshme në vërejtjet, nëse shtetet anëtare të Unionit bien dakord për propozimin francez. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button