Komisioni i 6 janarit: Trump inkurajoi aktivisht protestuesit

Komisioni i 6 janarit: Trump inkurajoi aktivisht protestuesit

Komisioni që po heton sulmin e 6 janarit në Kongres përfundoi raundin e tij të parë të dëgjesave publike të enjten me analizë minutë pas minutë të veprimeve të ish-presidentit Donald Trump gjatë sulmit ndaj Kapitolit. Siç njofton korrespondentja e Kongresit të Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, hetimi ofroi një perspektivë të re mbi veprimet e ish-presidentit.

Njëqind e tetëdhjetë e shtatë minuta – koha mes fundit të fjalimit të ish-presidentit Trump në tubimin Stop the Steal dhe kohës kur ai publikoi një mesazh të regjistruar duke u thënë mbështetësve të tij të largoheshin nga Kapitoli.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili kishte bërë betimin ndaj Kushtetutës dhe kishte detyrën për të siguruar zbatimin e ligjit, nuk ndërmori asnjë veprim kur baza e demokracisë sonë, kalimi paqësor i pushtetit ishte nën sulm”, tha ligjvënësja demokrate Elaine Luria.

Në një seancë përmbyllëse publike, shtatë demokratët dhe dy republikanët në komision thanë se zoti Trump jo vetëm që dështoi të vepronte gjatë sulmit në Kapitol, por ai vazhdoi të inkurajonte aktivisht rebelët që të përmbysnin numërimin e votave elektorale.

“Turma po përmbushte qëllimin e Presidentit Trump. Pra, sigurisht që ai nuk ndërhyri. Presidenti Trump nuk veproi gjatë 187 minutave ndërmjet largimit nga tubimi dhe thirrjes që turma të shkonte në shtëpi. Dhe ai zgjodhi të mos vepronte”, tha ligjvënësi republikan Adam Kinzinger.

Ish-presidenti Trump e ka kritikuar punën e komisionit, duke e quajtur atë të pabalancuar dhe të padrejtë. Por të enjten, vetë këshilltarët e tij, që dhanë dorëheqjen për shkak të sulmit në Kapitol, dëshmuan se ai nuk ishte i gatshëm të ndalonte dhunën ndërsa ndiqte sulmin në një televizor në Shtëpinë e Bardhë.

LEXO EDHE:

Back to top button