Flakët pushtojnë Evropën: Greqia në alarm, zjarret sjellin dëme miliardëshe
Gazetar: Avni Tahiri
Zjarret pyjore vazhdojnë të përfshijnë vende të rajonit, ndërsa temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta po favorizojnë përhapjen e flakëve. Në disa shtete të Ballkanit autoritetet kanë angazhuar forca shtesë zjarrfikëse dhe mjete ajrore për të mbrojtur zonat e banuara dhe sipërfaqet pyjore, ndërsa rreziku mbetet i lartë edhe për ditët në vijim.
Situata më e rëndë paraqitet në Greqi, ku një zjarr i madh në veriperëndim të Athinës ka djegur shtëpi, pyje me pisha dhe mijëra hektarë toka bujqësore, përfshirë ullishte. Qindra zjarrfikës, të mbështetur nga avionë dhe helikopterë, vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarrin e madh pyjor në perëndim të Athinës, ku flakët kanë detyruar evakuimin e mbi 1 mijë banorëve. Më shumë se 250 persona janë shpëtuar me mjete lundruese nga plazhet e zonës.
Operacionet zhvillohen një ditë pasi dy anëtarë të ekuipazhit humbën jetën nga përplasja e dy helikopterëve gjatë shuarjes së zjarrit. Megjithëse dobësimi i erërave ka krijuar kushte më të favorshme për ndërhyrje, autoritetet paralajmërojnë se rajoni i Atikës mbetet në rrezik të lartë për zjarre për shkak të temperaturave të larta.
Banorët e zonës në perëndim të Athinës, thonë se ende nuk e dinë përmasën e dëmeve dhe po presin lejen e autoriteteve për të hyrë në mënyrë të sigurt në pronat e tyre dhe për të parë se çfarë pasojash ka lënë zjarri.
“Kemi kaluar shumë ditë duke e parë situatën në televizor. Nuk mund të prisnim më dhe erdhëm këtu për ta parë vetë çfarë ka mbetur, çfarë është shkatërruar dhe çfarë ka shpëtuar. Nga ajo që pashë, nuk mendoj se ka mbetur shumë.”tha Anastasia Chatzoglou – Banore lokale
Edhe Franca dhe Spanja po përballen me pasoja të rënda. Në Francë janë evakuuar rreth 220 mijë persona, ndërsa dëmet ekonomike nga zjarret vlerësohen të jenë shumë të larta. Në Spanjë, zjarret kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha pyjore dhe bujqësore, duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve dhe mobilizimin e forcave të emergjencës.
“Nuk është e lehtë. Po përpiqem të qëndroj i fortë dhe tani të ndihmoj njerëzit e tjerë. Kjo është e vetmja gjë që mund të bëj vërtet. Nuk dua t’i kaloj dhjetë vitet e ardhshme duke më ardhur keq për veten. Për disa ditë nuk kam fjetur shumë. Ende nuk jam shpërthyer në lot, sepse jam një person i fortë, por jam i sigurt se edhe ai moment do të vijë”, tha Matthieu Plessis – Banor i Le Porge.
Sipas një analize të Financial Times, valët e të nxehtit dhe zjarret pyjore gjatë këtij viti i kanë shkaktuar Evropës dëme që tejkalojnë mbi 3 miliardë euro.
Që nga fillimi i sezonit të zjarreve janë djegur rreth 5 milionë hektarë tokë. Vetëm në pesë vendet më të prekura të Eurozonës, Francë, Spanjë, Portugali, Greqi dhe Rumani. Kostoja e ripyllëzimit dhe restaurimit të zonave të dëmtuara vlerësohet në 3.1 miliardë euro, më shumë se mesatarja vjetore prej 2.5 miliardë eurosh që Komisioni Evropian llogarit për të gjithë Bashkimin Evropian./Alsat.mk.








