Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka paralajmëruar rritje të konsiderueshme të pagave në sektorin publik dhe privat, duke nisur nga janari. Sipas tij, masa do të zbatohet përmes programit të ri qeveritar “EURO MODEL”.
Paga minimale neto për punonjësit në pozita që kërkojnë arsim fillor ose nivel më të ulët do të rritet nga 600 në 1,000 euro. Për vendet e punës që kërkojnë arsim të mesëm, paga minimale do të shkojë në 1,250 euro, ndërsa për pozitat që kërkojnë arsim të lartë do të arrijë në 1,400 euro, nga 800 euro sa është tani.
Spajiq bëri të ditur se rritje do të ketë edhe për pagat mbi nivelin minimal. Ai mori si shembull një punëdhënës që aktualisht paguan gjithsej 1,980 euro për një pagë neto prej 1,600 eurosh. Nga janari, sipas tij, me të njëjtën kosto për kompaninë, punonjësi do të mund të marrë 1,870 euro neto.
Kryeministri tha se kjo shumë mund të tejkalojë 2,000 euro, nëse partnerët socialë pranojnë propozimin e Qeverisë. Rritja e vlerës llogaritëse të koeficientit pritet të zbatohet në mënyrë të njëjtë në sektorin publik dhe atë privat.
Njëkohësisht, Qeveria planifikon të ulë barrën tatimore mbi punën për të lehtësuar punëdhënësit. Nga viti 2027, pensionet pritet të harmonizohen katër herë në vit. Pensioni mesatar në prill pritet të kalojë 600 euro, ndërsa pensioni minimal të jetë mbi 500 euro./Alsat.mk
603 1 minute read








