Komisioni parlamentar për punë dhe politikë sociale assesi të zhbllokohet

Komisioni parlamentar për punë dhe politikë sociale assesi të zhbllokohet

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Dështoi tentimi i parë i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi për të zhbllokuar punën e komisionit për politikë sociale, pasi sot angazhoi deputetin Bejxhan Iljas për të mbajtur mbledhjen e komisionit, me pikë të vetme të rendit të ditës, për sigurimin pensional dhe invalidor. Në një bisedë telefonike, deputeti Bejxhan Iljas na njoftoi se askush nga Kuvendi nuk e ka konsultuar atë nëse dëshiron dhe mund ta organizojë punën e komisionit. Për arsye familjare, tha se nuk është prezent në Kuvend. Por edhe të mos kishte arsye të tjera, ai prapë se prapë nuk do të pranonte të udhëheqë me komisionin, për shkak se siç tha, do të ishte nënçmim për kolegen e tij nga Fronti Evropian, Ilire Dauti.

Për këtë, reaguan edhe nga Aleanca për Shqiptarët, pjesë e Frontit Evropian. Nga atje i bëjnë thirrje Gashit që të heqë dorë nga skenarët e VMRO-së, të Majtës dhe LSDM-së, për të zhbllokuar ligjin për branitellat.

“Nga Fronti Europian nuk do të dërgojmë asnjë propozim tjetër dhe nuk do të pranojmë asnjë lojë tjetër të errët që ka gatuar Gashi me padronët e tij për të kontrabanduar Ligjin për Branitella, por i bëjmë thirrje që të mos provojë këtë ta bëjë as me ndonjë deputet tjetër duke e emëruar si kryesues”, tha Elmi Aziri – ASH/FE.
Deputeti i VMRO-së, Dragan Kovaçki, nuk deshi të komentojë zhvillimet mbi këtë temë. Tha se do të veprojnë vetëm sipas rregullores.

“Kuvendi punon sipas rregullores. Gjithçka që është në korniza të rregullores duhet të zbatohet. Gjithçka që është jashtë kornizave të rregullores nuk presim që të zbatohet”, u shpreh Dragan Kovaçki – VMRO-DPMNE.

Sipas Bilall Kasamit nga koalicioni VLEN, çështja e branitellave është zgjidhur në të kaluarën dhe ajo zgjidhje plotëson kërkesat e tyre. Nëse ka kërkesa të reja, atëherë duhet të shqyrtohet edhe statusi i UÇK-së.

“Ne kemi pasur qëndrim parimor që në fillim, kjo është një çështje delikate që duhet të ketë zgjidhje adekuate për të dy anët e konfliktit. Sigurisht që edhe pjesa tjetër, në këtë rast UÇK ka qenë e pranuar si palë në konflikt dhe në Marrëveshjen e Ohrit ka pasur obligim shteti të bëjë socializimin e tyre. Ne vetëm këtë kërkojmë që në këto kushte delikate të mos hapen tema të cilat vazhdojnë të krijojnë tensione në shtet”, deklaroi Bilall Kasami – VLEN.

Për shkak mos vendosjes në rend dite të propozim ndryshimeve të ligjit për branitellat, kundër Ilire Dautit në Kuvend u votua interpelancë. Dauti më pas dha dorëheqje nga pozita e kryetares së Komisionit. Që atëherë, ky komision i cili i takon Frontit Evropian, nuk ka qenë funksional ndërsa nga Fronti Evropian nuk kanë ndërmend të propozojnë kandidat të ri për kryetar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button