Komisioni për emrat me mendim negativ për “Ivan Mihajllovin”

Komisioni për emrat me mendim negativ për “Ivan Mihajllovin”

Gazetar: Lluka Andreev

Klubi kulturor bullgar nga Manastiri nuk do të mund ta përdorë emrin “Ivan Mihajllov”, kështu ka vendosur Komisioni i formuar posaçërisht për emrat e klubeve dhe shoqatave. Komisioni kuvendoi në ditën e fundit të afatit të përcaktuar me ligj, ndërsa deri më tani ka mendim negativ vetëm për “Ivan Mihajllov”. Në bazë të këtij mendimi, tani radhën e ka ministri i drejtësisë Krenar Lloga i cili duhet të vendos nëse kjo shoqatë do të fshihet nga Regjistri Qendror.

“Emërtimi i shoqatës Ivan Mihajllov është provokim për ndjenjat kombëtare të popullit maqedonas, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një person të afërt me ideologjinë fashiste, i cili me veprimet e tij mohoi veçantinë e popullit maqedonas dhe në të njëjtën kohë shkakton padurim, jotolerancë dhe urrejtje në shoqërinë maqedonase”, njoftojnë nga Komisioni për përdorimin e emrave.

Komisioni deri më sot ka pasur probleme me personelin, ndërsa duhet të shqyrtojë emrat e rreth 17 mijë shoqatave. Nuk ka informacione nëse klubi kulturor nga Ohri “Car Borisi III” do ta mbajë emrin, ndonëse kjo shoqatë fillimisht u interesua për procedurën e ndryshimit të emrit.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme bullgare njoftoi se dje në mbrëmje është thyer Qendra Kulturore dhe Informative Bullgare në Shkup, e cila për dallim nga klubet kulturore është institucion shtetëror.

“Në incident është shkaktuar dëm material në murin e pasmë të objektit, i cili është hapur më 25 nëntor 2022. Pavarësisht nga motivi i autorëve, krimi është sulm ndaj vetë shtetit bullgar, sepse është institucion shtetëror”, thonë nga MPJ e Bullgarisë.

Sipas njoftimit të MPJ-së bullgare, ata i kanë thënë ambasadores së Maqedonisë në Sofje, Agnesa Rusi Popovska, se është e një rëndësie të veçantë që të mos mbizotërojë ndjenja e mosndëshkimit për ngjarje të tilla./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button