Komisionit për Sëmundje Ngjitëse iu shtuan edhe 9 anëtarë të rinj

Komisionit për Sëmundje Ngjitëse iu shtuan edhe 9 anëtarë të rinj

Gazetare: Vjollca Aliti

Komisioni për sëmundje ngjitëse mbajti mbledhjen e parë me përbërjen e saj të re. Gjithsej janë shtuar 9 anëtarë të rinj, ndërsa 18 anëtarët e vjetër vazhdojnë të jenë pjesë e tij, shkruan Alsat.

Ky trup tanimë ka kryetar të ri – drejtorin e Institutit të Imunologjisë Aleksandar Petliçkovskin, si dhe ka emëruar person përgjegjës për komunikim me mediat, mjekun Zllate Mehmedoviq gjë e cila nuk ka qenë praktikë e deri tanishme. Sipas Petliçkovskit, KSI do t’i ndjekë praktikat e shteteve të tjera, por nuk do i praktikojë ato sy mbyllur.

 

“Qëllimi i punës së këtij Komisioni është artikulimi i të dhënave shkencore të cilat i kemi dhe pranimi i tyre në rrethanat tona. Qëllimi jonë do jetë që t’i përmbahemi në mënyrë kyçe studimeve shkencore serioze dhe të mundohemi që ato t’i zbatojmë. Desha të shpalos një barrierë, se ne nuk do të punojmë me parimin p.sh në Angli janë hequr maskat dhe ne menjëherë do t’i hedhim maskat”, u shpreh Aleksandar Petlickovski, Kryetar i Komisionit për sëmundje ngjitëse.

https://youtu.be/mN3c71QN9NE

Në mbledhjen e sotme KSI nuk miratoi rekomandime të reja por diskutoi mbi shumë çështjet si skriningu në shkolla i cili do të realizohet me teste antigjeni, vlefshmërinë e certifikatave e cila vazhdon të jetë në fuqi si dhe mbi gjendjen epidemiologjike.

Ilir Demiri nga Klinika Infektive në Shkup tha se është rritur ndjeshëm numri i të shtruarve në klinikë duke potencuar se rastet e komplikuara janë kryesisht pacientë të pa vaksinuar. Demiri bëri apel deri te të gjithë qytetarëve që të vaksinohen, si mbrojtje e vetme ndaj virusit.

“Njerëzit nuk duhet absolutisht të çlirohen për shkak të asaj që thuhet se lloji Omikron jep pasqyrë më të lehtë klinike. Varianti Omikron është i lehtë në shumicën e rasteve por ajo pjesë e pacientëve që e kalojnë lehtë janë të vaksinuar. Te popullata e pa vaksinuar, Omikroni din të jetë me pasqyrë shumë të rëndë klinike. Ne për momentin punojmë me kapacitet të mbushur në Klinikë megjithatë numri i pacientëve që kanë nevojë të shtrohen në klinikë është rritur ndjeshëm. Dua të apeloj deri te qytetarët se masa e vetme e cila do na mbronte nga komplikimet, është vaksinimi”, tha Ilir Demiri, Klinika për Sëmundje Infektive – Shkup.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik deri më tash numri i personave të vaksinuar me dy doza në vend është 842,917 ndërsa dozën e tretë deri më tash e kanë pranuar 128,268 persona./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button