Komuna e Tetovës ka ndërprerë punimet në rrugën “Strasho Pinxhur”
Komuna e Tetovës ka ndërprerë punimet në rrugën “Strasho Pinxhur”
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Komuna e Tetovës ka ndërprerë punimet për rikonstrumin e rrugës “Strasho Pinxhur” pas reagimeve të djeshme të këshilltarëve komunal të Listës “Më mirë për Tetovën” lidhur me prerjen e drunjve. Nga komuna thonë se punimet do të vazhdojnë pas sqarimit të mosmarrëveshjeve me këshilltarët e pavarur, por këta të fundit thonë se nuk kanë kërkuar ndërprerjen e punimeve dhe se reagimi i tyre erdhi pas shqetësimit të qytetarëve për dëmin e shkaktuar ekologjik.
Ndërkohë, vendim i komunës ka irrituar banorët e lagjes, por edhe pronarët e rreth 100 dyqaneve që me muaj të tërë nuk mund të punojnë shkaku i rrugës së shkatërruar dhe papastërtisë që krijohet nga pluhuri dhe balta.
“Neve nuk na intereson çka kanë ata mes veti, ne si lokale që jemi rreth 100 jemi demoralizuar krejt, s`dimë çka me bë. e ka ndërprerë punën ai realizuesi. Një porosi për komunën dhe krejt tjerët, leni hajgaret, dhe nisni punoni ditë e natë, lokalet s`punojnë tash vjen festa e bajramit, nisni punoni se turp i madh kjo rrugë mos të rregullohet gati gjashtë muaj presim”, tha një pronar i një dyqani.
“Ne jemi dhjetë muaj këtu pa punë pa bukë, ska qarkullim njerëzish, e ata luajnë pingpong kush do e merr tenderin. Komuna ta merr seriozisht le të punojnjë ditë e natë, bashkë me ne ta kryejmë brenda muajit, se kjo lidh 150 mijë banorë nga Tetova në Jazhincë”, u shpreh një tjetër pronar dyqani.
“Pronarët e lokaleve madje kanë bërë ditën e sotme edhe një peticion me të cilin i janë drejtuar me kërkesë Komunës së Tetovës që ta vazhdojnë punimet dhe të kryhen sa më shpejtë, ju vijnë edhe festat dhe këta lokale duhet të punojnë, ndërsa mosmarrëveshjet që kanë mes veti t`i pastrojnë brenda komunës”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar i Alsat.
Rikonstruimi i kësaj rruge kishte nisur një muaj para fushatës për zgjedhjet lokale nga ish kryetarja e komunës, Teuta Arifi. Kjo rrugë por edhe disa projekte tjera infrastrukturore që kishin nisur gjatë fushatës elektorale janë lënë në gjysmë me përfundimin e zgjedhjeve./Alsat.mk








