Komunalet/ Fronti Evropian nis ndarjen e kulaçit – Taravari kandidat për Gostivarin, Sela për Strugën?
Komunalet/ Fronti Evropian nis ndarjen e kulaçit - Taravari kandidat për Gostivarin, Sela për Strugën?

Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka filluar takimet me liderët e partive, pjesë e Frontit Evropian, për ndarjen e hises për zgjedhjet lokale të tetorit varësisht mbështetjes që gëzojnë.
Pas largimit nga pushteti dhe kalimit në opozitë, Arben Taravari si duket nuk do t’i masë forcat si e vetme por do t’i bashkëngjitet Frontit Evropian.
Jozyrtarisht partia e Taravarit ka kërkuar nga Ahmeti kandidatë në Gostivar, Vrapçisht, Tearcë dhe Saraj. Ndërsa edhe pse më herët promovonte Valbon Limanin si kandidat i mundshëm, mësohet se vet Taravari do të garojë për komunën e Gostivarit, ndërsa për Sarajin favorizon Blerant Ramadanin.
Pas mbledhjes së mbrëmshme të kryesisë së BDI-së, nga kjo parti paralajmëruan unifikimin e të gjitha forcave progresive, si në Frontin Evropian, ashtu edhe në Frontin Kombëtar. Kjo e dyta nënkupton Front më i gjerë, bashkë me partinë e Taravarit.
“Janë në bisedime. Janë në bisedime po. Në momentin që do të kemi një konkluzë do të jeni të informuar. Prandaj dhe do të quhet Front Kombëtar?
Prandaj do të quhet Front Kombëtar, Front Evropian, është i njëjti qëllim”, tha Rina Ajdari – BDI.
Në negociatat me Ahmetin, Alsat mëson se Ziadin Sela ka fituar “betejën” për të pasur kandidat në Strugë. Masje jozyrtarisht vet Sela do të jetë kandidati për në krye të komunës. Thuhet se Selës do t’i takojnë edhe Dibra e Haraçina.
“Jemi në bisedime të vazhdueshme, janë të informuar edhe partnerët tanë të Frontit Evropian që nuk janë pjesë e Parlamentit, dhe shpresojmë se do të kemi përkrahje. Vendimet bihen me konsensus”, u shpreh Ilir Demiri – ASH-Sela.
Por si është situata me partitë e tjera të Frontit që nuk janë pjesë e Kuvendit? Kryetarja e Unionit të Romëve, Fatima Osmanovska, për Alsat tha se zyrtarisht ende nuk janë larguar nga Fronti, por se për zgjedhjet lokale nuk kanë zhvilluar asnjë diskutim.
Madje për në Shuto Orizare, tha se Ahmeti nuk ka nevojë fare t’i thërrasë për konsultime sepse Kurto Dudush do të kandidojë edhe për një mandat tjetër, ndërsa për këtë do të vendoset në kongresin e partisë që pritet të mbahet së shpejti.
Nga ana tjetër kreu i PDE-së, Arjanit Hoxha, për Alsat njoftoi se janë në bisedime e sipër me partnerët e Frontit. Në parim ka dakordësi për atë se si do të marrë pjesë në zgjedhje PDE-ja por më tepër do të varet nga emrat e propozuara dhe prapavija e tyre profesionale.
Nuk zbuloi se në cilat komuna mund të ketë kandidat për kryetar komune apo bartës i listës së këshilltarëve. Tani për tani edhe partnerët turq vazhdojnë të mbeten pjesë e Frontit dhe do të jenë pjesë e hises së ndarjes së komunave. /Alsat.mk