Koncesionerët nuk respektojnë të gjitha rregullat e shfrytëzimit të plazheve publike në Ohër dhe Strugë

Gazetar: Miki Trajkovski

Po bëhet gjithnjë e më e qartë se paligjshmëria që po ndodh prej vitesh në bregun e Ohrit–Strugës do të jetë e pranishme edhe këtë sezon turistik. Pothuajse çdo pjesë e plazheve çdo verë mbulohet me shezllonë dhe çadra, pavarësisht detyrimit ligjor që ata që menaxhojnë, 40% e plazhit ta lënë të lirë për përdorim. Në një pjesë të plazheve janë ndërtuar edhe objekte, të cilat funksionojnë si restorante dhe salla dasmash gjatë gjithë vitit. Por kryetarët e komunave nuk mendojnë për largimin e tyre.

“Mënyra e menaxhimit është një çështje, ndërsa rregullimi ligjor është një tjetër. Ajo që këto kontrata që u nënshkruan, neni parashikonte kthimin në gjendjen fillestare, i prishi parimet, megjithëse të gjitha këto plazhe që janë ndërtuar janë ndërtuar edhe me miratim, edhe me leje, edhe me projekt urbanistik. Ajo që do të ndryshojë është rregullimi i asaj që dikur, para 15–16 vitesh, ishte si thirrje publike e Ministrisë së Transportit dhe ishte miratuar mundësia që, me projekt urbanistik, të ekzistojë mundësia e menaxhimit të plazheve”, deklaroi Kiril Pecakov – kryetar i komunës së Ohrit.

Ata që i administronin plazhet, për vite me radhë punuan me kontrata koncesioni të skaduara. Kreu i Strugës Mendi Qyra thotë se problemin që është krijuar me dekada, si komunë nuk mund ta zgjidhin vetë.

“Ky problem nuk do të zgjidhet menjëherë; nevojitet kohë që të punohet siç duhet dhe të miratohet një ligj përkatës, që do të vlejë përgjithmonë. Për shkak se koncesionet e dhëna në vitin 2011 u dhanë për 5 vjet, që i gjithë plazhi të kthehej në gjendjen fillestare, gjë që nuk është logjike. Qytetarët investuan 200.000–300.000 euro dhe tani duhet t’i kthejnë mbrapsht. Ishte disi gjysmë ilegale, sepse, pasi kishin koncesion, u lejohej të ndërtonin, pa u saktësuar sa mund të investonin”, tha Mendi Qyra – kryetar i komunës së Strugës.

Në vitin 2021 në Ohër filloi një aksion për shembjen e plazheve më atraktive në qytet, ndërsa objektet ishin jashtë funksionit për dy vjet. Edhe një pjesë e platformave të hequra atëherë në liqen, tani janë rikthyer sërish. Në Strugë u hoqën vetëm disa platforma. Aktualisht po punohet në një propozim-zgjidhje ligjore, thotë Pecakov; Qyra që në shkurt shprehu pritjen se ligji do të miratohet deri në fillim të verës./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button