“Konferenca ndërqeveritare me BE-në varen nga vendimi i Këshillit Evropian”

Komisioni Evropian ka qëndrim të qartë. Dëshiron të mbahen konferencat ndërqeveritare si me Shqipërinë ashtu edhe me Maqedoninë, tha ambasadori i BE-së në vend, Dejvid Gir. Megjithatë, Gir ishte i kujdesshëm me fjalët për përjashtimin e mundshëm të Maqedonisë nga fillimi i negociatave në pako me Shqipërinë. Ai gjithashtu shprehu mbështetje për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së vendit me Bullgarinë.

Lidhur me çështjet dypalëshe, gjithmonë i inkurajojmë vendet të punojnë së bashku për të arritur zgjidhje të përbashkët të pranueshme për të ecur përpara. Lidhur me ndarjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, mendoj se kjo çështje u ngrit përsëri gjatë vizitës së Komisarit të BE-së Varhej. Ai përsëriti se Komisioni Evropian po punon për të arritur marrëveshje mbi konferencat ndërqeveritare për të dy vendet – Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por tha se ne nuk e kemi arritur atë pikë, natyrisht ndarja është një çështje që duhet të adresohet nga Këshilli Evropian dhe këtu janë 27 shtete anëtare për të debatuar mbi këtë çështje”, tha Dejvid Gir, ambasador i BE-së në Maqedoni.

Sipas zëvendës- kryeministrit për çështjet evropiane Nikolla Dimitrov, Maqedonia ka përmbushur kushtet dhe meriton përparim. Shprehet se rasti i Maqedonisë do të jetë test nëse BE-së mund t’i besohet në lidhje me Ballkanin në përgjithësi.

Beteja jonë sot është, në fakt, betejë e Evropës me veten. Që ta mbajë fjalën. “Është koha për t’i filluar negociatat e merituara të anëtarësimit”, pohoi Nikolla Dimitrov, zëvendës/ kryeministër për çështjet evropiane.

Bullgaria është gjithashtu në Këshillin Evropian ku vendimet merren me konsensus. Dimitrov shpreson të arrihet zgjidhje, megjithëse është  sfidë e vërtetë politike duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme lokale në vend, por edhe situatën e pasigurt politike në Bullgari.

Vendimet që do të merren rreth nesh do të kenë reflektim në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të gjejmë mënyrë, në përputhje me parimet evropiane, për të dalë disi nga ky ngërç shumë i dëmshëm këtë vit”, tha Nikolla Dimitrov, zëvendës/ kryeministër për çështjet evropiane.

Nesër, zëvendës kryeministri për çështjet evropiane Nikolla Dimitrov dhe ministri i jashtëm Bujar Osmani do të shoqërojnë kryeministrin Zoran Zaev në Bruksel, ku janë planifikuar takime me krerët e Bashkimit Evropian. Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, Zaev do të takohet me përfaqësues të disa shteteve- anëtare të Unionit dhe nga atje do të bëjë vizita pune në Madrid dhe Athinë.

 

ALSAT

LEXO EDHE:

Back to top button