Konferencë mbi krizën ekonomike në UEJL, Bexheti: Vendi në fazë të rimëkëmbjes

Konferencë mbi krizën ekonomike në UEJL, Bexheti: Vendi në fazë të rimëkëmbjes

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Kriza globale ekonomike, konsolidimi dhe rritja e qëndrueshmërisë, në këto tema, sot kanë diskutuar profesorë eminent nga vendi dhe jashtë në Universitetin e Evropës Juglindore, në kuadër të konferencës së gjashtë ekonomike, që organizon fakulteti përkatës i këtij universiteti. Konferenca trajtoi një gamë të gjerë temash siç ishin, goditjet ekonomike, inflacioni i lartë, kriza energjetike dhe ajo e kovidit. Sipas rektorit të UEJL-së, në këto tema, janë përgatitur më se njëqind punime shkencore të cilat janë dorëzuar për debatin e sotëm.

“Ne jemi në fazën e rimëkëmbjes së ekonomisë. Ju e dini se viti 2022 ishte me norma pozitive ekonomike të rritjes në rrafshin global, por e dini se jemi ende në fazën e reziliencës, pra fazën e sfidave të qëndrueshmërisë së kësaj rritjeje ekonomike, sepse normat lëvizin diku mes tre dhe katër për qind dhe janë të pamjaftueshme për regjionin dhe vendin sidomos. Andaj ne dhe studiuesit tanë, ashtu siç ju thash më shumë se 100 hulumtime trajtojnë çështjet e caktuara për mundësitë për përmirësimin dhe të inkuadrohen në politikbërjen e vendit dhe rajoni po ashtu, sepse kemi studiues nga Kosova, Shqipëria, lugina e Preshevës dhe Maqedonia që kanë dhënë sugjerimet e tyre në secilën fushë”, deklaroi Abdylmenaf Bexheti, Rektor i UEJL.

“Ekonomia shkon në pozitive por edhe rrinë në vend, varësisht nga konteksti që e merrni. Teknologjia na ka mundësuar neve që të punojmë nga shtëpia, teknologjia na ka mundësuar neve që të tentojmë të punojmë nga shtëpia dhe ajo na ka dhënë një arsyetim që të mos jemi produktiv sa duhet dhe shumë arsye kemi që të fajësojmë të tjerët. Pra kemi shumë arsye për fajësim të të tjerëve por kjo është e rrezikshme dhe duhet të na rikujtojë të gjithëve se duhet përgjegjësi të kemi gjithsecili për vete”, tha Leo Pol Dana, Profesor i Universitetit ekonomik të Parisit.

Studiuesit diskutuan po ashtu edhe mbi sfidat dhe perspektivat e reja të biznesit dhe ekonomisë në kuadër të rimëkëmbjes së saj pas krizës ekonomike. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button