Konjufca: E padrejtë që ndërkombëtarët sanksionuan Kosovën, e Serbinë jo

Konjufca: E padrejtë që ndërkombëtarët sanksionuan Kosovën, e Serbinë jo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po tregohet e njëanshme kur bëhet fjalë për raportet e saj me Kosovën dhe me Serbinë, dhe se duhet të jetë më e përcaktuar se çfarë dëshiron prej dy vendeve. Ai ka thënë se nuk pret diçka as nga rundi i ardhshëm i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, që është paralajmëruar të mbahet, edhe as në drejtim të kërkesave që i janë bërë Kosovës për heqje të masave ndaj qarkullimit të mallrave serbe. Ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po tregohet e rezervuar për ta ndëshkuar Serbinë, ndonëse, sipas tij, ka informacione se shteti serb qëndron pas sulmit të Banjskës. Kosova fajëson direkt shtetin serb për organizim dhe kryerje të sulmit. Hetime për sulmin janë duke kryer edhe Kosova edhe Serbia, por ende nuk kanë prezantuar ndonjë aktakuzë. Konjufca ka thënë se as Kosova, dhe as faktori ndërkombëtar nuk mund të publikojnë të dhëna të detajuara nga hetimet për sulmin, për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe kjo është e qartë që bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme në relacionet mes Kosovës dhe Serbisë, për këtë arsye besoj që duhet një drejtim krejt i ri. Dialogu, në formatin qysh ka qenë prej vitit 2011, e ka pasur arkivolin më 24 shtator të vitit të kaluar, me sulmin terrorist në Banjskë, sepse informatat të cilat i posedon edhe bashkësia ndërkombëtare edhe institucionet tona të sigurisë, tregojnë qartë se ky grup i madh kriminal e ka pasur mbështetjen e drejtpërdrejtë prej shtetit serb”, deklaroi Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button