Konkursi në UT, Inspektorati i Arsimit ka gjetur shkelje?

Konkursi në UT, Inspektorati i Arsimit ka gjetur shkelje?

Alsat mëson se Inspektorati Shtetëror i Arsimit veçse ka gjetur shkelje në shpalljen e konkursit për rektor në Universitetin e Tetovës. Shkeljen e konstatuara kanë të bëjnë me vitet e përvojës si kuadër arsimor që duhet të ketë kandidati prej 15 vitesh veprimtari, si dhe pjesën e dytë lidhur me faktin nëse ndonjëri prej kandidatëve të mund të kishte dhënë dorëheqje më herët.

Burime të Alsat thonë se e para është shkelje ligjore dhe e dyta statutare. Procesverbali nga mbikëqyrja inspektuese, është dorëzuar tashmë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës e cila duhet të veprojë më tej rreth këtyre konstatimeve. Ministria e Arsimit për momentin nuk ka dalë me një qëndrim konkret, pavarësisht dërgimit të pyetjeve nga ALSAT nëse do të marra masa për anulimin e mundshëm të konkursit për rektorin e ri të UT-së. Konkursi është i hapur që nga 18 maji, ndërsa Inspektorati i Arsimit reagoi jo sipas detyrës zyrtare, por pas një sërë ankesash që mbërritën në adresë të Inspektoratit dhe pas ndërgjegjësimit të situatës nga ana e televizionit Alsat. Një ditë më parë ish inspektori i Arsimit Gjorgji Ilievski e cilësoi si joligjor dhe skandaloz konkursin për rektor të UT-së, duke theksuar se ky institucion i Arsimit të Lartë është i pushtuar nga ndikimi politik.

Vendosja e kritereve shtesë u bë nga Senati, të cilin e drejton ish rektori Vullnet Ameti. Kriteret janë të “dizajnuara” për t’i shkuar për shtati ndonjë kandidati specifik apo për të pamundësuar kandidaturën potenciale të ndonjë profesori të interesuar.

Kriteret për rektor të UT-së
• Të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut
• Të jetë nga radhët e profesorëve të rregullt (ordinar), me së paku 15 vjet përvojë pune si kuadër mësimor
• Kompetenca për kryerjen e funksionit rektor, edhe atë: Menaxhimi i proceseve në arsimin e lartë, gjë që konfirmohet edhe nga mosdhënia e dorëheqjes nga ndonjë pozicion drejtues të bartur brenda njësive të Universitetit.

As në Ligjin për Arsim të Lartë e as në Statutin e Universitetit të Tetovës nuk ka asnjë nen i cili lejon vendosjen e kritereve shtesë. Madje sipas dokumentit më të lartë të UT-së, Statutit, thuhet se “rektori zgjidhet sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin për Arsim të Lartë”, ndërsa kriteri i vetëm në ligj është që kandidati të jetë nga radhët e profesorëve të rregullt.

Alsat krahasoi konkursin në Universitetin e Tetovës me ato të universiteteve të tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut, “Shën Kirili dhe Metodi”, “Nënë Tereza”, “Goce Dellçev” dhe “Shën Klimenti i Ohrit”. Të gjitha pa përjashtim kanë respektuar në tërësi Ligjin dhe si kriter për zgjedhje të rektorit, kanë vendosur vetëm që ai ose ajo të jenë profesorë të rregullt dhe shtetas të Maqedonisë së Veriut. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button