Kontesti me Bullgarinë, përplasen LSDM e VMRO-DPMNE

Përdorimi i mbiemrit “maqedonas” në bisedimet në Komisionin maqedono-bullgar për Histori përsëri përplasi pushtetin dhe opozitën. Kryeministri Zoran Zaev pretendon se përdorimi i këtij mbiemri nuk ka qenë problem as më parë, e as tani. Ai thotë se identiteti nuk kontestohet dhe nuk do të lejojë që dikush ta kontestojë atë.

Unë jam Kryeministri maqedonas. Nuk ka interesa më të mëdha, më madhështore ose më të domosdoshme sesa interesat maqedonase, unë jam duke folur për kombin maqedonas, dhe kështu për popullin maqedonas, popullin shqiptar dhe të gjithë popujt që jetojnë në vendin tonë. Sigurisht, kur flisni me palën tjetër për arritjen e një marrëveshjeje, ju kujdeseni edhe për palën tjetër, ashtu siç prisni që pala tjetër të tregojë kujdes ndaj jush – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër

Ky qëndrim i Zaev vjen pas akuzës nga VMRO DPMNE se LSDM dhe Zaev “mbrojnë vetëm interesat bullgare”.

Mjerë për Maqedoninë nëse vjen koha që LSDM dhe Zaevi t’i mbrojnë interesat kombëtare, kur shitën gjithçka. LSDM dhe Zoran Zaev thjesht mbrojnë interesat bullgare. Zoran Zaev, posa të flasë, menjëherë gënjen – thonë nga VMRO DPMNE.

Përdorimi i mbiemrit “maqedonas” në punën e Komisionit të përbashkët përsëri u aktualizua dje pas informacioneve se të dyja palët kanë rënë dakord ajo të zëvendësohet me përdorimin e emrit kushtetues të vendit. Por, kryetari i pjesës maqedonase të Komisionit, Dragi Gjorgjiev, i hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se mbiemri “maqedonas” është ende në përdorim. Komisioni do të rishikojë çështjet historike të ndjeshme në takimet që janë rënë dakord përgjithësisht për një muaj, më 25 dhe 26 shkurt.

Alsat

LEXO EDHE:

Back to top button