Kontesti me Bullgarinë, përplasje mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së

Kontesti me Bullgarinë ka përplasur dy partitë më të mëdha maqedonase. LSDM-ja dhe VMRO DPMNE-ja e akuzojnë njëra tjetrën për shpërndarje të lajmeve të rreme, me çrrastë partia në pushtet pretendon se nuk negocion për identitetin maqedonas dhe e paralajmëron VMRO DPMNE-në se me sjelljet anti-shtetërore dhe anti-popullore do të mbeten në opozitë edhe për një kohë të gjatë.

“Realiteti është krejtësisht i kundërt nga gënjeshtrat e Mickoskit dhe udhëheqësisë së VMRO DPMNE-së. Realiteti është se për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase nuk negociohet, as që është negociuar ndonjëherë e as që do të negociohet. Gënjeshtrat e Mickoskit dhe disa të tjerëve rreth tij, nuk kalojnë, gënjeshtrat janë ekspozuar dhe gjashtë herë janë dënuar nga qytetarët”, thonë nga LSDM-ja.

Nga ana tjetër, VMRO DPMNE-ja akuzon LSDM-në dhe kreun e saj, Zaev se ka frikë ta thotë të vërtetën rreth bisedimeve, duke e akuzuar se është burimi më i madh i lajmeve të rreme në Maqedoni.

“Nëse nuk ka aneks për marrëveshjen, pse LSDM-ja nuk dërgoi demant deri tek Karakaçanov i cili thotë se ka aneks. LSDM-ja dhe Zaev çmendurisht mundohen ta fshehin aneksin e dorëzuar nga Bullgaria. Aneks me 12 pika i është dorëzuar Qeverisë jopopullore, së cilës i kërkohet revidim i historisë, ndryshim i sistemit arsimor dhe çështjet e identitetit. Këtë aneks Qeveria e Zaevit tashmë e negocion, çka tregon se Zaev dhe LSDM-ja tashmë bëjnë tregti me historinë dhe identitetin”, shprehen nga VMRO DPMNE.

Ministri Osmani mohoi ekzistencën e aneksit 12 pikësh, që sipas Zv/kryeministrit bullgar, Karakaçanov, përmban kërkesën për heqje dorë nga pretendimet historike dhe ato për pakicë si dhe ndryshim të sistemit arsimor. Shkupi e Sofja kanë shkëmbyer propozim plane aksionare, si përgatitje për mbajtjen e takimit të radhës të Komisionit ndër-qeveritar, data e të cilit megjithatë ende nuk është caktuar. Ndërsa ministrja bullgare, Zaharieva paralajmëroi se pas zgjedhjeve të marsit, zgjidhja e kontestit do të jetë më e vështirë.

Anesa Salihu

 

LEXO EDHE:

Back to top button