Kontesti mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, kryefjalë në fushatën parazgjedhore të Sofjes

Kontesti mes Sofjes e Shkupit është bërë pjesë e fushatës parazgjedhore në fqinjin lindor. Presidenti, Rumen Radev i adresoi Qeverisë bullgare një sërë kritikash për neglizhencë ndaj qytetarëve me pasaporta bullgare në Maqedoninë e Veriut. Duke e kritikuar pushtetin se e ka përjashtuar diasporën nga proceset politike dhe ia ka privuar të drejtën kushtetuese të votës, Radev njoftoi kandidaturën e tij për mandat të dytë presidencial.

Kontesti mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut e vërtetoi tezën që zv/presidentja kohë të gjatë e ka mbrojtur, se vetëm dhënia e shtetësisë nuk mjafton për punë të suksesshme me shoqërinë tonë jashtë kufijve. Ne nuk ia dolëm ta zgjidhnim çështjen e ndikimit ekonomik dhe kulturor në fqinjësi. Qytetarët me pasaporta bullgare në RMV ende nuk ndjehen si qytetarë me vetë-përcaktim bullgar. Ata jetojnë me frikë. Autoritetet bullgare nuk ia dolën të kenë politikë aktive, dinjitoze dhe pozicion të argumentuar para partnerëve evropianë’ tha Rumen Radev, President i Bullgarisë.

Radev shpalosi konceptin e ri për diasporën, të zv/presidentes socialiste, Iliana Jotova e cila poashtu garon për mandat të dytë në këtë post.

Zv/presidentja vazhdon të punojë në mënyrë aktive për politika të reja lidhur me qytetarët bullgarë jashtë kufijve. Jo vetëm takime e negociata, një qasje gjithëpërfshirëse që do të përfshijë leksione mbi gjuhën bullgare, punë me akademinë, propagandë të kulturës bullgare. Koncepti i znj.Jotova për institut kulturor bullgar përfshin marrëveshje me intelektualë nga vendi dhe jashtë kufijve’ pohoi Rumen Radev, President i Bullgarisë.

Ditë më parë Zv/kryeministri, Krasimir Karakaçanov nga koalicioni Patriotët e Unifikuar, kërkoi njohjen e popullsisë bullgare në Maqedoninë e Veriut, me arsyetimin se 120 000 qytetarë tashmë janë pajisur me pasaporta bullgare dhe mijëra të tjerë po presin ta marrin pasaportën.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button