Kontrolle të shtuara në prag të ndërrimit të motmoteve/ “Luftë” e ashpër ndaj shitësve ilegal të mjeteve piroteknike

Kontrolle të shtuara në prag të ndërrimit të motmoteve/ “Luftë” e ashpër ndaj shitësve ilegal të mjeteve piroteknike

Gazetare: Ajnur Bafqari

Në prag të ndërrimit të vitit, autoritetet kanë shtuar kontrollet dhe masat për festë të qetë, pa prishje të rendit. Po zhvillohet “luftë e ashpër” ndaj shitësve jolegalë të mjeteve piroteknike. Gjatë një aksioni policorë, vetëm në Bit Pazar të Shkupit, janë sekuestruar rreth 6000 copë të ndryshme të mjeteve piroteknike.

“Pas ndërmarrjes së masave operative-taktike nga Njësiti për Tregti të Palejuar në SPB Shkup, në rr. “192”, në zonën e Bit Pazarit, në Shkup, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 6,000 copë të ndryshme të mjeteve piroteknike. Është njoftuar Prokurori Publik, piroteknika është sekuestruar për procedurë të mëtejshme, ndërsa ndaj personave që kanë shitur piroteknikë do të ngrihen kallëzime përkatëse”, tha Goce Andreevski, Zëdhënës i MPB-së.

Po ashtu janë gjetur mjete piroteknike edhe në Kumanovë, ku edhe janë privuar nga liria 3 persona, të cilët janë mbajtur në stacion policor dhe sipas zëdhënësit të policisë, Goce Andreevski, ndaj tyre do të vijojnë kallëzime përkatëse.

“Nëpunës policorë nga SPB Kumanovë i privuan nga liria A.A., M.V., të dy nga Kumanova, dhe E.Xh. nga f. Llojan, komuna e Likovës. Gjatë kontrollit të një tezge në Tregun e Gjelbër në bul. “Brigada e Tretë Sulmuese Maqedonase”, pronë e A.A., janë gjetur dhe sekuestruar mbi 420 copë mjete të llojllojshme piroteknike. Gjatë kontrollit në automjetin “Seat Leon” në rr. “11 Tetori”, të drejtuar nga M.V., janë gjetur dhe sekuestruar 32 copë mjete të llojllojshme piroteknike. Ndërsa, gjatë kontrollit në automjetin “Mazda” në hyrje të Kumanovës, të drejtuar nga E.Xh., janë gjetur dhe sekuestruar 150 copë mjete të llojllojshme piroteknike”, deklaroi Goce Andreevski, Zëdhënës i MPB-së.

Kontrolle të intensifikuara edhe nëpër pikat kufitare të vendit. Në Bllacë, ekipi doganor ka kapur dhe sekuestruar 40.872 copë të mjeteve piroteknike, si pushkaliqe dhe fishekzjarrë, në një makinë me targa të Zvicrës. Nga Drejtoria e Doganave, njoftojnë se është ngritur procedurë penale ndaj një shtetasi të Maqedonisë së Veriut, nga komuna e Gostivarit, pas çka është dorëzuar edhe kallëzim penal për prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim të paautorizuar të armëve dhe eksplozivëve, të dënueshme sipas Kodit Penal. /Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button