Delegacionet e SHBA-së dhe Iranit në Zvicër po zhvillojnë negociata në kuadër të memorandumit

Gazetare: Ajnur Bafqari

Nën masa jashtëzakonisht të rrepta sigurie, delegacionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Irani, Katari dhe Pakistani janë mbledhur në samitin e liqenit të Lucernit, në Zvicër, në përpjekje për stabilizimin e Lindjes së Mesme pas javësh luftë. Bisedimet formale, që përqendrohen në zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit SHBA-Iran, pritet të zgjasin të paktën deri nesër. Korniza u nënshkrua javën e kaluar dhe tani negociatorët kryesorë të SHBA-së dhe Iranit janë në një afat 60-ditor për të arritur një marrëveshje mbi detajet teknike që kanë implikime të mëdha për ekonominë botërore dhe sigurinë globale. Ndërsa fokusi kryesor mbetet programi bërthamor i Iranit dhe mekanizmat e uljes së tensioneve, bisedimet pritet të zhvillohen në disa pista paralele, me sesione që trajtojnë vatra të tjera tensioni rajonal, përfshirë Libanin dhe sigurinë detare në Ngushticën e Hormuzit.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, para nisjes për në Zvicër tha se bisedimet do të përqendrohen në çështjet bërthamore dhe çështjen e armëpushimit në Liban.

“Mendoj se shpresojmë të bëjmë përparim në çështjen bërthamore dhe të bëjmë përparim në çështjen e armëpushimit në Liban. Këto janë dy çështjet kryesore te të cilat besoj se do të përqendrohemi”, tha JD Vance, Zëvendëspresident i SHBA-së.

Ndërsa Irani edhe sot këmbëngul se nuk do të heq dorë nga e drejta për pasurim me uranium, duke pretenduar se SHBA-të duhet ta pranojnë këtë.

“Ne nuk do t’i nënshtrohemi forcës, shtypjes dhe poshtërimit. As nuk do të heqim dorë nga e drejta e pasurimit. Dhe ata duhet ta pranojnë këtë”, theksoi Masoud Pezeshkian, President i Iranit.

As Izraeli dhe as Libani nuk janë të përfaqësuar drejtpërdrejt në samit, por të dyja konfliktet ndikojnë fuqishëm mbi diskutimet. Koha është kritike. Armëpushimi Izrael-Liban, që u arrit dy ditë më parë, veçse është nën presion të dukshëm. Autoritetet libaneze thanë se sulmet izraelite kanë vrarë 67 persona gjatë 48 orëve të fundit, ndërkaq sulmet e Hezbollahut kanë vrarë të paktën pesë ushtarë izraelitë. Që atëherë, Izraeli ka ndaluar operacionet, por kryeministri Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të hakmerret ndaj çdo kërcënimi të ri.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një tjetër pikë kyç e përplasjes. Zyrtarët amerikanë dhe iranianë vazhdojnë të mos bien dakord nëse kjo rrugë detare, jetike për tregjet globale të energjisë, është plotësisht e hapur, një mosmarrëveshje që analistët thonë se Teherani mund ta përdorë si levë gjatë bisedimeve./Alsat.mk.

 

LEXO EDHE:

Back to top button