Kopshti Zoologjik në Shkup nuk respekton dygjuhësinë

Premtime të reja për ndërrimin e tabelave në Kopshtin Zoologjik, në të cilat përshkrimet janë vetëm në gjuhën maqedonase. Drejtori i Kopshtit, Gjorgi Galetanovski, thotë për Alsat se planifikon që së shpejti t’i ndryshojë tabelat dhe në të rejat të respektohet dygjuhësia. Megjithatë Galetanovski nuk u përgjigj se përse këto tabela nuk janë ndërruar deri më tani.

Tabelat janë të vjetra, por në aplikacionin elektronik janë edhe në gjuhën shqipe. Tek Dinoparku i ri tabelat janë në Gjuhën Shqipe dhe atë maqedonase. Tani planifikojmë që në kopshtin Zoologjik të vendosim tabela të reja ku përshkrimi do të jetë në dy gjuhë, atë shqipe dhe maqedonase – tha Gjorgi Galetanovski- drejtor i Kopshtit Zoologjik.

Edhe përkundër faktit që në tabelat në formë elektronike përveç maqedonishtes, figuron edhe shqipja, jo të gjithë vizitorët mund të kenë qasje në aplikacion. Vizitorët e anketuar thonë se do të donin që ata vet të arrinin të kuptonin se çfarë shkruhet në tabela, veçanërisht fëmijët të cilët duan të dinë më shumë për kafshët.

“Patjetër, shkaku i fëmijëve, sepse fëmijët kanë qejf. S’ po më pëlqen sepse shqip pothuajse nuk ka fare. Vetëm emri i kafshës dhe asgjë tjetër nuk shpjegohet për këto kafshë.
– Nuk arrini ta kuptoni?
– Jo. Do kisha dashur të jenë edhe shqip, normalisht. Sepse ka shumë shqiptarë.
Unë pak kuptoj, por shumë pak. Por të rinjtë s’kuptojnë fare”.

“Tepër bukur, vetëm më pengon fakti që tabelat nuk janë as në gjuhë angleze dhe as në Gjuhën Shqipe. Nuk arrijmë ta kuptojmë gjuhën maqedonase.
A ju pyesin fëmijët për karakteristikat e kafshëve?
Po, por nuk arritëm të kuptojmë”.

“Mirë shumë bukur, por nuk ka të bëjë asgjë me Gjuhën Shqipe. Fëmijët nuk mund të orientohen aspak rreth kafshëve. Të gjitha tabelat janë vetëm në gjuhën maqedonase.
 Do kishit dashur që të jenë edhe në gjuhën shqipe?
Patjetër, sidomos në Gjuhën Shqipe”.

Shumica e institucioneve janë vonuar me respektimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, i cili është në fuqi më shumë se dy vjet. Respektimi i dygjuhësisë është detyrim ligjor.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button