Korridoret 8 dhe 10-d, Qeveria heshtë për kredibilitetin e kompanive

Korridoret 8 dhe 10-d, Qeveria heshtë për kredibilitetin e kompanive

Gazetar: Adrian Kerimi

Qeveria miraton kontratën për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10-d pa sqaruar dyshimet e ngritura në opinion ndaj kredibilitetit të kompanive që do të mbikëqyrin punimet e konzorciumit ndërkombëtar Bechtel&Enka. Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në njoftimin e dhënë për miratimin e kontratës mes tjerash ka shkruar se guximi dhe vizioni i mposhti obstruksionet, por pa precizuar konkretisht në çka pretendon.

“Mbi skepticizmin dhe obstruksionet, triumfoi guximi, vizioni dhe vendosmëria. Urime të gjithëve”, u shpreh Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.

Si organi ekzekutiv ashtu edhe Ministria e Financave vazhdojnë të heshtin për vendimet e 24 nëntorit 2020 dhe 9 shkurtit 2021 me të cilat kompania spanjolle “EPTISA” njëherësh u cilësua kompani jo etike dhe jo ligjore, për t’u hequr me pas nga lista e zezë e Qeverisë pa asnjë arsyetim. Në pyetjet e Televizionit Alsat, Ministria e Financave nuk argumenton se pse kërkoi abrogimin e një vendimi të tillë, cili është sqarimi i këtij resori, e kujt mbetet përgjegjësia për një vendim të tillë që më pas u tërhoq dhe cilat janë garancitë se kompania në fjalë nuk do të sanksionon Qeverinë në kuptimin e shkeljes së marrëveshjes. Kompania EPTISA ditë më parë u sqarua në lidhje me angazhimin e Branisllav Dimitrijeviqit në projektin e tyre në Armeni, shtet ku autoritetet ligj zbatuese e ndjekin penalisht Dimitrijeviqin për mashtrim.

“Në lidhje me pozicionin e Dimitrijeviq në EPTISA, informacionet e publikuara nuk janë të vërteta. EPTISA në projektin e saj në Armeni ishte anëtare e konzorciumit (e udhëhequr nga një kopani tjetër). EPTISA kishte një angazhim minor në zbatimin e projektit, ndërsa Dimitrijeviq nuk ishte i angazhuar nga ana jonë”, thonë nga EPTISA.

Tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në Korridoret 8 dhe 10-d e fitoi grupi i kompanive të udhëhequra nga “IRD Inzhinjering” në bashkëpunim me “Elektra Konsallting”, “EPTISA” dhe “Evro Konsallting”. Kjo e fundit rezulton të jetë kompani e themeluar nga Branisllav Dimitrijeviq i akuzuar për mashtrim në Armeni dhe i arrestuar në Kroaci më 21 prill 2021. Akuzat e autoriteteve armene i referohen punimeve në Korridorin Veri-Jug kur Dimitrijeviq ishte “team leader” i konzorciumit franko-spanjoll “Savezh-EPTISA”. Kompania e tij “Evro Konsallting” e drejtuar nga djali i tij Zoran Dimitrijeviq në Maqedoni të Veriut ka mbikëqyrur punime në disa projekte infrastrukturore dhe investime kapitale, përfshi edhe ndërtimet në kuadër të projektit Shkupi 2014. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button