Korrupsioni, problem serioz për kompanitë private në Maqedoni

Kompanitë e sektorit privat përballen me normë të lartë korrupsioni, sipas një sondazhi të sektorit joqeveritar. Sipas gjetjeve të dokumentit me titull “Biznesi pa korrupsion”, sektori i biznesit nuk mund të merret individualisht me këtë problem. Nevojitet luftë e përbashkët e të gjithë aktorëve për të ndërtuar një shoqëri me tolerancë zero ndaj korrupsionit.

“Kompanitë e ndjejnë shumë barrën e korrupsionit. Nuk e marrin si të mirëqenë, vlerësojnë se u pengon në biznes. Veçanërisht për ato kompani që me të vërtetë duan të plasohen me cilësi, produktivitet dhe jo përmes praktikave korruptive”, tha Nikica Kusinikova – Drejtore Ekzekutive e Shoqatës së Këshilltarëve Tatimor “Konekt”.

Hulumtimi edhe një herë konfirmoi funksionimin jo-transparent dhe korruptiv të ndërmarrjeve shtetërore. 30 ndërmarrjet më të mëdha në pronësi të shtetit kanë publikuar vetëm 28 për qind të informacionit publik. Nuk është zbatuar procedurë për zgjedhjen e anëtarëve të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse, ndërsa disa kompani kanë pasur edhe situatë shqetësuese financiare.

“Nuk ka programe dhe mekanizma të brendshëm anti-korruptiv, nuk ka kornizë ligjore adekuate dhe të unifikuar për funksionimin e ndërmarrjeve shtetërore”, pohoi German Folkov – Qendra për Komunikime Civile.

Qeveria thotë se ka zhvilluar masa sistemike dhe ka përmirësuar procesin e prokurimit publik.

“Duke filluar këtë vit me prezantimin e një sistemi elektronik të inspektimit, E-inspektor që do të mundësojë lidhjen elektronike të të gjitha 28 shërbimeve të inspektimit. Ky sistem do të zvogëlojë ndikimin subjektiv të inspektorit gjatë inspektimeve”, theksoi Ljupço Nikollovski Zëvendëskryeministër për Luftën kundër Korrupsionit.

Megjithëse korrupsioni është i përhapur në shoqërinë tonë, të dhënat tregojnë se institucionet shumë dobët merren me këtë problematikë.

Ile Petreski

LEXO EDHE:

Back to top button