Kosova drejt zgjedhjeve: Nis verifikimi i kandidatëve, partitë në garë me afat deri në mesnatë
Derisa afati për 27 subjektet politike për dorëzimin e listave të kandidatëve në Kosovë do të mbyllet në mesnatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëruar se të gjithë kandidatët që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit për Kuvendin, do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit institucional. Përmes këtij procesi, KQZ do të kontrollojë nëse kandidatët për deputetë i përmbushin kriteret ligjore për pjesëmarrje në zgjedhje. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka kujtuar se më 12 maj përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike për të dorëzuar online listën me emrat e kandidatëve për Kuvendin e ardhshëm të Kosovës. Procesi i verifikimit të kandidatëve pritet të zgjasë disa ditë.
“Në mesin e institucioneve nga të cilat KQZ do të kërkojë verifikim të kandidatëve, është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, andaj për zbatimin e këtij kriteri ligjor, KQZ-ja do të kërkojë nga KGjK-ja verifikimin e listës së kandidatëve për të konstatuar nëse ndonjëri prej tyre bie ndesh me këtë kufizim,” tha Valmir Elezi, Zëdhënës i KQZ-së.








