Skandal në Gjykatën e Kumanovës: Inventari në kompani private, dokumentet dhe pajisjet pa siguri – një pjesë e tyre ishin të dëmtuara
Gazetar: Zekirja Haxhiu
Enti Shtetëror për Revizion ka publikuar raportin për punën financiare të Gjykatës Themelore të Kumanovës për vitin 2024, ku ka dhënë mendim negativ për raportet dhe mendim të rezevruar për ligjshmërinë e punës së institucionit. Sipas revizorëve, në gjykatë janë konstatuar parregullsi serioze në menaxhimin e parave dhe pasurisë shtetërore.
“Një pjesë e inventarit dhe pajisjeve të gjykatës, përfshirë kompjuterë dhe pajisje të tjera, është ruajtur në hapësira të një kompanie private pa kontratë, pa evidencë dhe pa kushte sigurie. Gjatë kontrollit, revizorët kanë konstatuar se një pjesë e pajisjeve ishin të dëmtuara, të shpërndara dhe pa numra inventari, duke e bërë të pamundur identifikimin e tyre,” thanë nga Enti i Revizionit.
Parregullsi janë evidentuar edhe në procedurat e furnizimeve publike. Pas një zjarri në objektin e gjykatës, janë realizuar punime elektrike pa procedurë adekuate të furnizimit publik, me çka është tejkaluar pragu ligjor i lejuar për kontrata pa tender. Revizorët kanë konstatuar gjithashtu kushte të papërshtatshme për ruajtjen e dokumentacionit dhe arkivit të gjykatës.
“Një pjesë e lëndëve të dëmtuara nga zjarri janë hedhur në deponi pa procedurë të plotë ligjore dhe pa u përcaktuar saktë shkalla e dëmtimit.” – Enti i Revizionit.
Në raportin e Entit të Revizionit theksohet edhe mungesa e kontrolleve të brendshme financiare, mungesa e kuadrit në sektorin financiar dhe numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve. Sipas të dhënave të revizionit, në fund të vitit 2024 gjykata kishte vetëm 18 gjyqtarë nga gjithsej 34 vende të parapara. /Alsat.mk








