Kosova jashtë integrimit rajonal ekonomik

Kompania e mishit “Meka”, që është një nga bizneset prodhuese në Kosovë, nuk ka arritur që të jetë e pranishme në tregjet rajonale, përveç Shqipërisë. Kjo për faktin se, siç thotë pronari i kësaj kompanie, Burim Pirraj, disa nga vendet e rajonit kanë vendosur barriera jotarifore.

Në shkëmbimet tregtare, vende të caktuara përdorin barriera jotarifore, si një masë për kufizimin e importit nga një vend i caktuar.

Por, këto veprime bien ndesh me marrëveshjet e nënshkruara për tregti të lirë, siç është CEFTA, marrëveshje kjo e krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Vendet që janë anëtare të CEFTA-s (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia), bëjnë barriera jotarifore, siç është për shembull, kontrolli i objekteve apo gjërave tjera që na pengojnë që të arrijmë në tregjet jashtë Kosovës”, thotë Pirraj për Radion Evropa e Lirë.
Për largimin e barrierave jotarifore nga shtetet e rajonit, Pirraj thotë se nuk kanë gjetur përkrahjen institucionale.

“Kur kemi probleme të tilla, nga institucionet tona shikohet si problem individual dhe jo ndërshtetëror, shteti nuk merret dhe ne jemi të demoralizuar nga kjo qasje. Është vështirë të bëhet biznes”, thotë ai.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër vite kanë vendosur barriera tregtare mes njëra-tjetrës.

Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina pothuajse në vazhdimësi kanë krijuar barriera tregtare ndaj produkteve ‘Made in Kosova’, duke mos e njohur dokumentacionin që lëshohej nga ky shtet.

Për shkak të këtyre problemeve, Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018, kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

Ndërkaq, në prill të vitit 2020, qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti, zëvendësoi taksën me masën e reciprocitetit. Por, me të marrë detyrën kryeministri Avdullah Hoti hoqi masën e reciprocitetit.

Integrim i kufizuar rajonal
Integrimi ekonomik rajonal nënkupton katër liritë ekonomike: atë të mallrave, kapitalit, lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe shërbimeve.

Integrimi i kufizuar ekonomik i Kosovës është i ndërlidhur edhe me raportet jo të mira në aspektin politik, qoftë me Serbinë apo me Bosnjë e Hercegovinën, të cilat nuk e njohin atë si shtet të pavarur.

Zgjidhja e problemeve politike mes shteteve të rajonit duhet bërë në mënyrë që integrimi ekonomik rajonal të mos mbetet i kufizuar, pasi që ky integrim rajonal është parakusht për integrimin në Bashkimin Evropian për secilin vend veç e veç, thonë bashkëbiseduesit e REL-it.

Profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu tha për Radion Evropa e Lirë se integrimi ekonomik rajonal është anashkaluar nga Kosova dhe nuk është parë as si një ndër prioritet në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt.
“Edhe kur dialogu, që është një nga ndër parakushtet esenciale për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë anashkalohet, dëshmon se në Kosovë më tepër flitet për integrim ekonomik rajonal sesa që veprohet. Nuk duhet vetëm të jemi dekor i këtyre marrëveshjeve apo këtyre iniciativave rajonale, pasi që dialogu dhe partneriteti nuk kanë alternativë. Asnjë vend nuk mund të ketë integrim politik pa integrim ekonomik”, thotë Gërxhaliu.

Fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk e ka caktuar si prioritet dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se dialogu nuk është lartë në agjendën e prioriteteve.

Në aspektin e integrimit rajonal, në planprogramin e kësaj partie që ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk flitet asgjë.

Ujkani: Kosovës i duhet integrimi ekonomik
Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet tejkaluar të gjitha problemet dhe Kosova domosdoshmërish duhet të jetë pjesë e mekanizmave, qoftë rajonale apo edhe më gjerë.

“Integrimet ekonomike janë të rëndësishme për shumë arsye. Integrimi ekonomik rajonal do të bëjë që të krijohet një mirëqenie e qëndrueshme ekonomike dhe sociale, po ashtu integrimi ekonomik do të kontribuonte në stabilitetin politik në rajon”, thotë Ujkani duke shtuar se mungesa e një stabiliteti politik pengon realizimin e marrëveshjeve bilaterale që Kosova ka me vendet tjera.

LEXO EDHE:

Back to top button