Kosova përballet me testin e radhës politik pas dështimit për presidentin

Sot zhvillohet procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, votimi zhvillohet në 30 misione diplomatike, përkatësisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Procesi i votimi zhvillohet në Turqi, Gjermani, Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Francë, Austri dhe vende të tjera ku jeton diaspora kosovare. Ndërkaq Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se ka bërë të gjitha parapërgatitjet edhe për procesin e nesërm zgjedhor në Kosovë.

“Materialet zgjedhore që janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit do të shpërndahen, si zakonisht, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës për në qendrat e votimit. Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 7 qershor është 949, prej të cilave 911 për votimin e rregullt me 2,498 vendvotime. Po ashtu, do të hapen edhe 38 qendra të votimit me gjithsej 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht,” tha Valmir Elezi, Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

21 subjekte politike me 902 kandidatë janë në garë prej të cilave 6 janë subjekte shqiptare me 465 kandidatë që garojnë për 100 ulëse, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë që garojnë për 20 ulëse të garantuara. Çështjet që dominuan fushatën parazgjedhore ishin ekonomia, papunësia, pensionet, çmimet, dialogu me Serbinë dhe procesi i integrimit evropian.

“Këtyre zgjedhjeve të njëpasnjëshme Republika e Kosovës krejt bashkë nuk do t’i vë presje, por do t’ia qet pikën. Për shkak të këtij katër vjeçari të fundit, ku kemi nisur procese të pakthyeshme. Duke i vë në qendër pikërisht ata që janë anashkaluar, nënat e fëmijët, veriun e Kosovës, ushtrinë e bujqësinë. Kemi shume aktivitete e plane të reja. Kryesorja 1 miliardë euro për prodhimtarinë.. asnjë vit nuk do të jetë pa 1 miliardë euro shpenzime kapitale,” deklaroi Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes.

“Ne ballafaqohemi çdo ditë me çmime te larta.. e kjo situatë duhet ta ketë një fund sepse qeveria e udhëhequr nga PDK-ja do ta kthej Kosovën kah e mbara. PDK-ja garon me një program konkret.. ne do të krijojmë kushte për biznese, nuk i sulmojmë.. dhe do të krijojmë kushte të përshtatshme e ambient miqësor për ta. Kur të rritet buxheti, PDK-ja do t’i rrisë pagat prej 50% për të gjithë shërbyesit civilë. Do t’i rrisim pensionet për të gjithë në vlerë prej 50%” – Bedri Hamza, Kryetar i PDK-së.

Pas zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin, të mbajtura në shkurtin e vitit 2025, dy proceset e tjera zgjedhore që pasuan, më 28 dhjetor dhe nesër më 7 qershor, vijnë si pasojë e mungesës së konsensusit politik për konstituimin e institucioneve shtetërore. – Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button