Lindja e Mesme në prag të shpërthimit? Irani godet bazat amerikane

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, pasi Teherani lëshoi raketa balistike drejt bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn, në përgjigje të sulmeve amerikane ndaj objekteve radarike iraniane. SHBA tha se gjatë operacionit u rrëzuan katër dronë iranianë që konsideroheshin një kërcënim i menjëhershëm për anijet në Ngushticën e Hormuzit. Garda Revolucionare Islamike e Iranit pretendoi se kishte vënë në shënjestër edhe katër cisterna nafte që po përpiqeshin të kalonin Ngushticën e Hormuzit pa autorizim. Teherani paralajmëroi se çdo veprim i ri nga SHBA-ja mund të çojë në mbylljen e plotë të kësaj rruge strategjike detare, e cila mbetet një nga arteriet më të rëndësishme për transportin global të naftës. Ndërkaq Presidenti i SHBA-së, Donald Trump theksoi se Irani ka humbur pjesën më të madhe të arsenalit raketor dhe po i afrohet detyrimisht marrëveshjes.

“Në një mënyrë ose në një tjetër, kjo çështje ka marrë fund. Ose përfundon me një copë letër ose përfundon në një mënyrë më të vështirë, megjithëse mund të thuhet edhe më e lehtë. Siç e dini, Irani nuk ka marinë detare. 159 anije të fundosura brenda katër ditësh. Katër ditë, 159 anije në fund të detit. Jo se na pëlqen kjo, por kështu janë gjërat. Bllokada është e jashtëzakonshme. Nuk ka pasur kurrë një bllokadë të tillë. Marina jonë është e jashtëzakonshme. Ne kemi ushtrinë më të fuqishme kudo në botë. Nuk ka pasur kurrë një forcë ushtarake si kjo,” tha Donald Tramp, President i SHBA-së. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button