Stuhi e fortë godet Italinë – dy gra të vdekura

Një stuhi e fortë ka goditur disa pjesë të Italisë dhe sipas raportimeve deri më tani, të paktën dy persona kanë humbur jetën.

Në Latisana, në provincën e Udines, një grua vdiq pasi makina e saj ngeci në një nënkalim të përmbytur.

Gruaja u mbyt në automjet dhe përpjekja e karabinierëve për ta shpëtuar atë ishte e pasuksesshme. Zona midis Latisana dhe Lignano u prek veçanërisht nga reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet që goditën këtë pjesë të vendit gjatë natës dhe mëngjesit.

Vdekja e dytë u regjistrua në Sinalunga, në provincën e Sienës. Një grua rreth 80 vjeç vdiq pasi u godit nga erëra të forta.

Sipas informacioneve fillestare, ajo u përpoq të mbyllte dritaren, por era ia theu xhamin dhe një copë xhami i preu venën.

Ajo vdiq nga gjakderdhja në shtëpinë e saj. Vdekja u konfirmua nga kryebashkiaku i Sinalunga-s, Edo Zakei, ndërsa rrethanat e ngjarjes janë ende duke u përcaktuar.

Stuhia shkaktoi probleme në të gjithë vendin. Në Milano, lumi Lambro doli nga shtrati gjatë natës, por niveli i ujit u tërhoq më vonë. Në Bergamo, u raportuan rrugë të përmbytura dhe makina të përmbysura, ndërsa në Valtellina 45 persona u evakuuan për shkak të një rrëshqitjeje dheu.

Situata ishte e vështirë edhe në pjesë të tjera të Italisë. Në Toskanë, u regjistruan më shumë se 63,000 goditje rrufeje, të shoqëruara me shira dhe erëra të rrëmbyeshme. Në Romë, pemë dhe degë ranë, rrugët u përmbytën dhe rrufeja shkaktoi një zjarr në pisha.

Njësitë e zjarrfikësve dhe policia patën një numër të madh ndërhyrjesh për shkak të pasojave të stuhisë.

LEXO EDHE:

Back to top button