Një sulm kibernetik ka goditur administratën e Berlinit
Një sulm i rëndë kibernetik ka goditur administratën e Berlinit, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve për Parlamentin e kryeqytetit gjerman.
Rreth 1.4 milionë të dhëna të vjedhura janë publikuar në Darknet, pasi autoritetet refuzuan të paguanin shpërblimin e kërkuar nga hakerët.
Pas sulmit qëndron grupi kriminal kibernetik Rhysida, i cili depërtoi në sistemet e administratave të Ndërtimit dhe Transportit.
Hakerët kërkuan 30 Bitcoin, me vlerë rreth dy milionë euro, duke kërcënuar se në të kundërt do të publikonin materialet. “Berlini nuk do të lejojë të shantazhohet”, deklaroi kryebashkiaku Kai Wegner.
Pas refuzimit të pagesës, në Darknet u publikuan dosje personeli, shkresa zyrtare, fletëpagesa dhe kopje dokumentesh identiteti. Mes informacioneve që mund të jenë komprometuar ka edhe të dhëna për centrale energjetike dhe ngrohjeje, depo karburanti, sisteme të furnizimit emergjent me energji, burgje dhe ujësjellës.
Sipas autoriteteve, hakerët kishin akses në sistemet e administratës nga 7 deri më 14 gusht.
Sulmi dyshohet se nisi pasi një punonjës i Administratës së Transportit ra pre e një emaili “phishing”, duke u hapur pa dashje sulmuesve rrugën drejt rrjetit.
Senati i Berlinit ka ngritur një qendër koordinimi dhe po bashkëpunon me autoritetet federale të sigurisë kibernetike. Autoritetet siguruan ndërkohë se sulmi nuk ka prekur infrastrukturën zgjedhore dhe se votimi për Parlamentin e Berlinit më 20 shtator nuk është në rrezik.
Mes materialeve të vjedhura gjenden ede dokumente për projektin e diskutueshëm të zgjerimit të Kancelarisë Federale, duke e prekur në mënyrë indirekte edhe kancelarin Friedrich Merz./Tch.








