Kosova po bën përgatitjet e fundit në prag të votimit të së dielës

Kosova përmbyll fushatën tridhjetë ditore të kandidatëve për kryetar të komunave, në prag të zgjedhjeve lokale të dielën. Komisioni Qendror Zgjedhor, Policia dhe Prokuroria e Kosovës kanë thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve.

Ndërkohë fushata është cilësuar si e qetë dhe pa incidente. KQZ u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës të dielën.

Natyrisht se dita më e rëndësishme është dita e zgjedhjeve, prandaj në emër të KQZ-së ftoj subjektet politike, kandidatët e tyre dhe çdo kënd tjetër që ka rol në çfarë do forme në procesin zgjedhor që t’i përmbahen ligjit dhe rregullave zgjedhore në fuqi, në të kundërtën rrezikojnë të kryejnë ndonjë vepër penale. Në fund, dua t’i drejtohemi të gjithë qytetarëve me të drejt vote që të dielën të dalin për të votuar për të zgjedhur kryetarin e komunës së tyre dhe anëtarët e kuvendeve komunale – tha Kreshnik Radoniqi, Kryetar I KQZ-së Kosovë.

Laura Pula nga Prokuroria e shtetit ka thënë se janë krijuar mekanizmat për një proces të mirëfilltë, ku do të jenë 80 prokurorë kujdestarë në 38 komunat e Kosovës për ruajtjen e votës së qytetarit.

Në këto zgjedhje kemi 80 prokurorë kujdestarë së bashku me staf mbështetës, të cilët do të kooperojnë në mënyrë të rregullt dhe në kohë reale së bashku me hetuesit e policisë së Kosovës në 38 komunat e Republikës së Kosovës… Nëse eventualisht do të ketë ndonjë keqpërdorim i votës së lirë të qytetarëve, prokurori i shtetit së bashku me policinë e Kosovës do të jenë gardian të mbrojtjes së votës. Kështu që do të ndalohen dhe arrestohen të gjithë votuesit të cilët do ta keqpërdorin votën, mirëpo do të arrestohen edhe zyrtarët përgjegjës – u shpreh Laura Pula, Prokuroria e Kosovës.

Pos prokurorëve, në zgjedhjet e së dielës të angazhuar do jenë 3,352 zyrtarë policor. Numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda shtetit të Kosovës është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Vjollca Aliti

LEXO EDHE:

Back to top button