Kosova, reciprocitet të plotë ndaj Serbisë

Kosova, reciprocitet të plotë ndaj Serbisë

Gazetar: Adrian Kerimi

Pa marrëveshje ligjërisht të obliguar, do të ketë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një ditë pas marrëveshjes së arritur mbi dokumentet e udhëtimit. Kurti në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se reciprociteti në marrëdhënie diktohet nga sovraniteti ynë.

“Ne dëshirojmë që të ketë normalizim dhe këtë do ta bëjmë përmes një marrëveshje ndërkombëtarisht e ligjërisht të obliguar për normalizim të plotë të ma dhënieve me njohje reciproke në qendër. Në takimin e fundit në Bruksel kam prezantuar një kornizë të përgjithshme, me 6 kapituj, me shumë elemente, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për t’u takuar edhe më shpesh në mënyrë që ta finalizojmë këtë marrëveshje, por në mungesë të marrëveshjes do të ketë reciprocitet të plotë i cili do të vendoset gradualisht”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Duke folur për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe konsensusin brenda politik në Kosovë, Kurti paralajmëroi takim me krerët e opozitës për t’i njoftuar me hollësitë.

“Ne jemi për dialog me parime dhe proces transparent, prandaj edhe sot i dërgojë ftesë tre krerëve opozitarë për t’i informuar e për të diskutuar për takimin e fundit që kemi pas në Bruksel dhe sfidat që i ka shteti ynë përpara”, shtoi ai.

Por Beogradi zyrtar vlerëson se derisa nuk ka marrëveshje edhe për targat, nga 1 shtatori të gjitha kapacitetet shtetërore do të jenë në gatishmëri për të siguruar stabilitet në veri të Kosovës. Kryeministrja, Ana Bërnabiq tha se Serbia nuk lëkundet nga pozicioni për targat “Kosova dhe Metohija” duke shtuar se Kurti ka refuzuar edhe targat neutrale.

“Nuk kemi marrëveshje për targat që do të thotë nga 1 shtatori futemi në një periudhë të tmerrshme jo stabiliteti. Nuk e dimë se çfarë do të bëjnë politikanët e Kosovës në krye me Albin Kurtin. Ata e kanë dëshmuar disa herë se sa të papërgjegjshëm janë, sa nuk u intereson paqja dhe stabiliteti. Ky jo stabiliteti do të zgjasë deri më 31 tetor. Deri atëherë Kurti tha se gjithkush që hy në territorin e Kosovës nga shteti serb duhet t’i ndryshon tabelat të cilat i lëshojnë autoritetet e Prishtinës. Ne mbetemi në qëndrimin se targat me KM duhet mbetur dhe nga kjo nuk lëkundemi. Ofruam kompromis për targa neutrale KS por ata e mohuan”, deklaroi Ana Bërnabiq, Kryeministre e Serbisë.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe. Qeveria ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button