Kosova shënon 13 viktima dhe 501 raste të reja me COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) njoftoi më 15 nëntor se, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 501 raste të reja me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Rezultatet janë në bazë të 1361 mostrave të testuara. Nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur edhe 1 3 pacientë.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 3 raste (76, 70, 70 vjeç), Dragash 1 (42 vjeç), Drenas 1 (61 vjeç), Gjakovë 1 (83 vjeç), Gjilan 1 (77 vjeç), Kamenicë 1 (80 vjeç), Pejë 1 (81 vjeç), Podujevë 1 (68 vjeç), Prishtinë 1 (74 vjeç), Suharekë 1 (75 vjeç), Vushtrri 1 (75 vjeç)“, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 250 pacientë, ndërsa numri i rasteve aktive është 10.990.

Që nga fillimi i pandemisë më 13 mars të këtij viti, në Kosovë janë infektuar 29.117 persona, prej të cilëve 17.305 janë shëruar ndërsa 822 kanë vdekur.

Në ditët e fundit ka pasur një rritje të numrit të të infektuarve duke detyruar autoritetet të vendosin masa kufizimi në lëvizje në disa komuna të vendit.
Më herët, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë “të gjitha veprimet e nevojshme për tu përballur me pandeminë COVID-19”.

Në një komunikatë për media thuhet se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në spitale rajonale është ngritur në nivelin më të lartë mobilizimi i stafit shëndetësor, janë rritur kapacitetet me shtretër, janë rritur kapacitetet për furnizim me oksigjen si dhe janë ndërmarrë veprime të tjera.

“Të gjithë duhet të ndihmojmë mjekët dhe infermierët tanë të përballen me këtë gjendje duke respektuar masat e propozuara nga IKSHP (Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike), të cilat i ka ndërmarrë Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar gjoba ndaj 673 qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së COVID-19, është miratuar në muajin gusht nga Kuvendi i Kosovës.

Gjobat për mosrespektim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID -19 fillojnë nga 35 deri në 2000 euro, varësisht nga shkeljet.

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button