Kosovë, 3 viktima dhe 49 raste të reja me koronavirus

Tri viktima dhe 49 raste të reja me koronavirus u raportuan të martën në Kosovë.

Dy raste të vdekjes u regjistruan në Gjilan, ndërsa një në Prishtinë, bëri të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Sipas njoftimit, rastet e reja pozitive rezultuan pas testimit të 1,494 mostrave.

Shifra prej 49 i bie që 3 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.

IKSHPK-ja po ashtu tha se në 24-orëshin paraprak, 346 pacientë janë shëruar nga koronavirusi.

Me shifrat e sotme, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 106,538, i viktimave në 2,213 dhe i të shëruarve në 98,223.

Raste aktive aktualisht janë 6,102.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të marsit me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara përmes programit Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Këtë javë dhe javën e kaluar, Kosova ka pranuar edhe dy kontingjente vaksinash Pfizer/BioNTech, me mbi 7,000 doza në total, si donacion nga Bashkimi Evropian.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të hënën se më 12 maj do të pranojë edhe 38,400 vaksina të tjera përmes programit Covax.

LEXO EDHE:

Back to top button