Kosovë, anulohen zgjedhjet në Han të Elezit

Kandidatët për kryetarë të komunës së Hanit të Elezit do të dalin sërish në votime.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në Kosovë, të enjten mori vendim për të anuluar procesin zgjedhor për kryetar të kësaj komune.

Në këtë vendim urdhërohet organizim i sërishëm i votimit vetëm për kryetar të komunës.

Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën të dielën, më 17 tetor.

Në vendimin e PZAP-së, thuhet se është pranuar si e bazuar ankesa që Rufki Suma, kandidati i pavarur dhe kryetar aktual i Hanit të Elezit, e ka bërë lidhur me këtë proces zgjedhor.

Sipas vendimit, PZAP ka konstatuar se është vërejtur qartë se ka pasur presion ndaj votuesve.

“E po ashtu ka pasur organizim për të votuar dhe blerje të votës për të votuar subjektin politik Partia Demokratike e Kosovës”, thuhet në vendim.

Kandidati i PDK-së për Hanin e Elezit, Mehmet Ballazi, ka arritur ta mposhtë kryetarin e deritanishëm të kësaj komune, kandidatin e pavarur, Rufki Suma.

Rufki Suma ka mbajtur pozitën e kryetarit të Hanit të Elezit për 14 vite.

Ndaj vendimit të PZAP-së palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme.

LEXO EDHE:

Back to top button