Kosovë, homazhe për viktimat e masakrës së Rezallës

Kosovë, homazhe për viktimat e masakrës së Rezallës

Krerët shtetërorë të Kosovës bënë homazhe, në memorialin e dëshmorëve në Rezallë. Në këtë fshat të komunës së Skenderajt, forcat serbe kanë vrarë 98 persona në luftën e viteve 1998-99. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se tre të mbijetuarit e masakrës së Rezallës kanë shpëtuar rastësisht, pasi “qëllimi ka qenë që të mos e lënë asnjë të gjallë”.

“98 burra dhe djem u grumbulluan dhe u ekzekutuan nga forcat serbe dhe vetëm 3 që kanë shpëtuar, kjo u ka ndodhur rastësisht. Qëllimi ka qenë që të mos e lënë asnjë të gjallë andaj kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë…. drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojmë në mënyrë që përgjegjësit dhe urdhërdhënësit edhe ekzekutorët të gjykohen e të dënohen”, deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se trupat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, po mbahen ende brenda Serbisë.

“Ne nuk do të ndalemi. Do t’ia tregojmë botës dhe ta argumentojmë dhe më mirë gjenocidin që ka ndodhur derisa Serbia të mbahet përgjegjëse, e të gjenden e të dënohen të gjithë ata kriminelë të cilët janë kryes të drejtpërdrejt të masakrës së Rezallës dhe të qindra masakrave të tjera në Kosovë”, tha Glauk Konjufca, kreu i Kuvendit të Kosovës.

Kosova ka dalë nga lufta e vitit 1998-99, me mbi 13,000 persona të vrarë, mbi 800,000 të zhvendosur dhe mbi 5,000 të zhdukur. Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët jan bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet. Deri më tani, nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth 1,000 personave. Mbi 23 vjet pas luftës, të zhdukur vazhdojnë të jenë mbi 1,600 njerëz./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button