Kosovë: Ja cilat komuna i fitoi LDK-ja

Njëjtë si Partia Demokratike e Kosovës, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë parti fituese në pesë komuna në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Prishtina, Juniku, Vitia, Fushë Kosova e Istogu – janë komunat të cilat në katër vitet e ardhshme do të udhëhiqen nga LDK-ja.

Në Prishtinë fitues ka dalë Përparim Rama me 51,07 për qind të votave.

Ai ka lënë pas Arben Vitinë e Lëvizjes Vetëvendosje i cili ka marrë 48,93 për qind të votave.

Ndonëse në garë të ngushtë, edhe në Junik ka fituar kandidati i LDK-së.

Ruzhdi Shehu ka marrë 50,61 për qind të votave, duke mposhtur Agron Kuçin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili ka fituar 49,39 për qind të votave.

Komuna e Vitisë edhe për një mandat katërvjeçar do të udhëhiqet nga kryetari aktual, Sokol Haliti, i cili ka marrë 51,48 për qind të votave.

Pas tij është radhitur Arsim Ademi i VV-së me 48,52 për qind të votave.

Burim Berisha i LDK-së po ashtu do të udhëheqë edhe për një mandat në Fushë Kosovë.

Ai ka marrë 66,04 për qind të votave, ndërsa Enver Bajçinca i VV-së vetëm 33,96 për qind.

LDK-ja parti fituese ka dalë edhe në “bastionin” e saj, Istogun.

Nga numërimi i të gjitha votave, kandidati i LDK-së, Ilir Ferati ka marrë 56,20 për qind.

Ferati ka mposhtur Bekë Berishën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili ka marrë 43,80 për qind ta votave.

LEXO EDHE:

Back to top button